Të shtunën, qytete të ndryshme të Gjermanisë u përfshinë nga protesta të drejtuara nga të rinjtë e Gjeneratës Z, të cilët këtë herë zgjodhën një qasje të re.
Tubimet u zhvilluan në mënyrë paqësore, ndryshe nga protestat në disa vende të tjera evropiane, përfshirë Shqipërinë, ku janë shënuar përplasje dhe episode dhune. Organizatorët kishin bërë të qartë që në fillim se nuk synonin përballje me policinë, por kundërshtonin politikat aktuale, të cilat, sipas tyre, po ua marrin të ardhmen.
Të lidhura
None found
Nisma “Gen Zi regelt” deklaroi se qëndron vetëm në mbështetje të protestave paqësore dhe kundër çdo forme dhune. Në faqen zyrtare të internetit, organizatorët theksuan gjithashtu se demonstratat nuk duhet të shoqërohen nga grupe ekstremiste apo simbole antikushtetuese.
Pjesëmarrësve iu kërkua të mos merrnin me vete shishe qelqi ose armë, të mos provokonin forcat e policisë dhe të respektonin ndalimin për mbulimin e fytyrës gjatë protestave.
Ndër kërkesat kryesore të të rinjve janë rritja e financimit për shkollat, mbështetja për personat me varësi dhe shërbimet e psikoterapisë, si dhe ndërhyrje për përballimin e kostos në rritje të jetesës. Ata kërkojnë gjithashtu më shumë drejtësi sociale dhe masa për mbrojtjen e klimës.
Protestuesit kundërshtojnë edhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe zgjerimin e mbikëqyrjes nga shteti. Sipas organizatorëve, numri i pjesëmarrësve në protesta i kaloi 68 mijë persona.
Me frikën e përsëritjes së incidenteve të ngjashme me ato të ndodhura në Francë, shumë tregtarë në qendrat urbane, veçanërisht në zonat me butikë luksozë të metropoleve gjermane, mbuluan paraprakisht vitrinat me panele druri. Për garantimin e rendit dhe sigurisë, policia angazhoi në disa zona qindra efektivë shtesë.








