Pas vdekjes tragjike të zyrtarit policor Rexhep Gashi, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për ngjarjen e ndodhur gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Në një postim në rrjetet sociale, Sveçla ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, për kolegët e tij, si dhe për të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Gashi, i cili humbi jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në pikën e kalimit kufitar në Vërmicë”, ka shkruar Sveçla.
Ai theksoi se në këto çaste të rënda, institucionet janë pranë familjes së policit për të ndarë dhimbjen e humbjes.
“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen Gashi, kolegët e të ndjerit dhe të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Në këto momente të rënda qëndrojmë pranë familjes për të ndarë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe”, u shpreh ai.
Sveçla u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të tregojnë përgjegjësi dhe kujdes të shtuar, në mënyrë që të shmangen raste të tilla tragjike.
“U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion për kujdes dhe përgjegjësi maksimale, që të parandalohen tragjedi të tilla. Qoftë i përjetshëm kujtimi për zyrtarin policor Rexhep Gashi, i cili deri në çastet e fundit të jetës së tij i shërbeu me përkushtim Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Sveçla.
Rexhep Gashi humbi jetën pasi, sipas informacioneve të para, u godit nga një veturë në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar në Vërmicë, ndërsa ndodhej në kryerje të detyrës zyrtare. Rrethanat e plota të rastit po hetohen nga organet kompetente.
