Një nga lajmet që pak kush e priste ishte “ndarja” mes avokatit Kujtim Cakrani dhe ish-presidentit Ilir Meta. Vetëm pak kohë më parë, Cakrani deklaronte publikisht se ishte i gatshëm të shkrinte të gjithë pasurinë e tij, vetëm e vetëm që Ilir Meta të dilte nga qelia, megjithatë ajo që dikur dukej si një raport i ndërtuar mbi besim dhe vendosmëri, mesa duket nuk i rezistoi kohës.
Studio Ligjore “Cakrani” njoftoi zyrtarisht ndërprerjen e marrëdhënies profesionale me kreun e Partisë së Lirisë, duke argumentuar se vendimi erdhi si pasojë e humbjes së mirëbesimit reciprok dhe mungesës së bashkëpunimit mes palëve.
Të lidhura
None found
Lidhur me këtë vendim, ish-avokati i Ilir Metës ka folur në një intervistë për Top Channel, ku është pyetur nga gazetarja Anila Hoxha nëse deklarata e tij pas një prej seancave gjyqësore, ku mohoi ekzistencën e një komploti ndaj Metës, ishte momenti që solli përçarjen përfundimtare mes tyre.
Cakrani sqaroi se qëndrimet e tij kanë qenë gjithmonë të bazuara mbi provat dhe faktet që ndodhen në dosjen hetimore, e jo mbi perceptime apo emocione.
“Duhet të kuptojmë diçka, unë nuk flas në bazë të emocioneve unë flas në bazë të provave dhe fakteve që ndodhen në dosje. Edhe pse duke njohur mirë me detaje dosjen unë nuk mund të flas për komplote që nuk ekzistojnë. Nuk ka komplote, nuk ka dëshmi, nuk ka fakte, nuk ka asgjë dhe unë nuk besoj që nga pamja procedural nuk ka asnjë komplot ndaj ish-presidentit”, tha avokati, teksa më tej shtoi se mund të ketë pasur zhvillime dhe komploto para arrestimit të Metës, por jo elementë proceduralë që mbështesin pretendimet për një komplot në procesin penal.
“Nuk e di, ka komplote të tjera, ka komplote politike, në menaxhimin e asaj situate para arrestimit e kështu me radhë. Nuk ka asnjë komplot ndaj tij nga pikëpamja procedurale, apo nga pikëpamja e dëshmitarëve apo provave që janë aty”, tha ai ndër të tjera.
