Një grup studentësh nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” iu bashkua sot tubimit të organizuar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët po protestojnë para ndërtesës së Qeverisë. Ata kërkuan menjëherë zhbllokimin e institucioneve dhe nisjen e punimeve në Kuvend.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalës së tij, përfaqësuesi i studentëve Granit Spahiu theksoi se paraliza institucionale dërgon një sinjal tejet negativ për brezin e ri.
Spahiu deklaroi se studentët nuk kërkojnë favore, por një universitet që përparon, mundësi reale për të rinjtë dhe shtet që i mban ata në vend, jo që i shtyn të emigrojnë. Ai shtoi se në momentet kur të tjerët kanë heshtur ose kanë pritur, studentët kanë qenë gjithmonë në ballë të ndryshimeve. Ai paralajmëroi se nëse dikush pret që të rinjtë të qëndrojnë pafundësisht në bankat e shkollës duke parë se si shteti mbahet peng, atëherë nuk e ka kuptuar fare studentin kosovar. Spahiu përfundoi duke thënë se ata nuk janë aty thjesht për të kërkuar një të ardhme, por për të kërkuar lejen për ta ndërtuar atë, dhe nëse duhet, do të ngrihen përsëri për Kosovën.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kritikoi ashpër ekzekutivin aktual, duke deklaruar se e vetmja ofertë që u është bërë studentëve gjatë kësaj qeverisjeje ka qenë braktisja e Kosovës. Ai vuri në dukje se të rinjtë që ishin fëmijë kur Albin Kurti fitoi zgjedhjet në vitin 2020 sot janë studentë të diplomuar që presin një vend pune, por përballen me realitetin e largimit masiv nga vendi. Gruda argumentoi se 300 mijë persona kanë lëshuar Kosovën në pesë vitet e fundit, çka përbën një zhvendosje masive dhe jo migrim të zakonshëm. Ai e cilësoi situatën aktuale si një përmbysje të rendit kushtetues, duke theksuar se nuk mund të pritet përparim për rininë dhe familjet e tyre kur parlamenti, si organi kryesor i shtetit, mbahet i bllokuar.
Ndërsa deputetja e Aleancës, Albana Bytyçi, e adresoi thirrjen e saj drejtpërdrejt te kryeministri Kurti, duke e ftuar atë të shkojë në Kuvend për të formuar institucionet. Ajo u shpreh se abuzimi dhe bllokada mbi shtetin po vazhdojnë dhe se deputetët, të betuar për mbrojtjen e kushtetutës, nuk do të ndalen derisa të formohen institucionet dhe qeveria, duke siguruar kështu vazhdimin e punës.
Protesta e deputetëve të PDK-së dhe Aleancës ka hyrë tashmë në javë të tëra, ku ata qëndrojnë çdo ditë për disa orë para ndërtesës së Qeverisë për të kërkuar vazhdimin e seancës konstituive. Përfaqësuesit e këtyre dy partive konsiderojnë se kabineti qeveritar ka uzurpuar objektin, pasi vetë ata janë betuar si deputetë, dhe e akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të hapur të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit.
