Profesori amerikan Daniel Serwer ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me theks te ngërçi institucional dhe vështirësitë për krijimin e institucioneve të reja.
Sipas tij, vendi ka kaluar një vit të vështirë, pasi dështimi për të formuar qeverinë dhe për të zgjedhur presidentin e bën të vështirë krijimin e përshtypjes për stabilitet institucional.
Të lidhura
None found
Serwer nënvizoi se episode të tilla janë të njohura në sistemet parlamentare, por vlerësoi se periudha që ka kaluar Kosova në planin politik nuk ka qenë e mirë.
“E dini, sistemet parlamentare kanë momente të tilla dhe ju keni pasur shumë prej tyre gjatë vitit të fundit. Kjo ka qenë për të ardhur keq. Sinqerisht, mendoj se nuk ka qenë një vit i mirë për Kosovën. Është e vështirë të përcillet një imazh i stabilitetit të institucioneve dhe i qëndrueshmërisë së tyre kur nuk arrini të formoni një qeveri, kur nuk mund të zgjidhni presidentin. Prandaj, shpresoj shumë që këtë herë do të keni sukses. Kompromiset do të jenë të nevojshme”, tha Serwer.
Ai shtoi se ngritja e institucioneve kërkon kompromis dhe bashkëqeverisje, duke theksuar se në sistemet parlamentare presidenti zgjidhet nga parlamenti, çka sipas tij shpesh prodhon vështirësi politike.
“Mendoj se sapo e thashë: filloni punën, formoni qeverinë”, u shpreh ai.
Lidhur me çështjen e energjisë dhe gazit amerikan, Serwer tha se nuk ka informacion të mjaftueshëm për të bërë një vlerësim të plotë, por theksoi se nga këndvështrimi mjedisor, gazi natyror është më i favorshëm se linjiti.
Në përmbyllje, ai vlerësoi se marrëdhënia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara mbetet e qëndrueshme dhe e pandryshuar, pavarësisht ndryshimeve të qeverive.
