Një ceremoni për bekimin e një parcele në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë synon të ndërtojë në të ardhmen një kishë, ka shkaktuar protesta nga banorë të disa fshatrave të komunës dhe ka hapur debat në opinionin publik të Kosovës.
Të lidhura
None found
Ngjarja, e zhvilluar më 17 gusht, është interpretuar ndryshe nga Komuna e Vushtrrisë dhe Kisha Katolike e Kosovës.
Autoritetet komunale deklarojnë se nuk janë informuar paraprakisht për vendosjen e gurit të themelit dhe se nuk kanë pranuar kërkesë për leje ndërtimi. Kisha, nga ana tjetër, këmbëngul se komuna ka qenë e njoftuar, ndërsa sqaron se ceremonia nuk shënoi fillimin e punimeve për ndërtimin e objektit.
Debati nisi të marrë formë publike në fund të korrikut, kur Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Vushtrri reagoi kundër planit. Në deklaratën e tij thuhej se në zonën ku parashihet ndërtimi “nuk jeton asnjë besimtar katolik dhe të gjitha fshatrat përreth janë me myslimanë”.
Këshilli theksoi se “çdo projekt që mund të perceptohet si provokues ose që cenon ndjenjat e komunitetit duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe maturi”.
BIK-u në Vushtrri nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë (REL) për sqarime të mëtejshme.
Dioqeza Prizren-Prishtinë i tha REL-it se ceremonia ishte keqinterpretuar. Dom Fran Kola, vikar ipeshkvor, shpjegoi se më 17 gusht u bekua toka dhe u vendos një gur themeli për një objekt fetar që mund të ndërtohet në të ardhmen.
Sipas tij, për ceremoninë ishte njoftuar paraprakisht kryetari i Vushtrrisë, ndërsa Policisë së Kosovës i ishte bërë njoftimi gjatë muajit korrik.
Kola tha se Dioqeza kishte planifikuar që më 18 gusht, në Zogaj, të zhvillonte një meshë për bekimin e truallit dhe pagëzimin e disa personave.
Pagëzimi u zhvendos në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, me arsyetimin e ruajtjes së qetësisë dhe paqes në Vushtrri dhe mes popullit shqiptar.
Sa i përket pronës, Kola deklaroi se parcela i përket Dioqezës dhe ka një sipërfaqe prej 11.266 metrash katrorë. Sipas tij, ajo është dhuruar nga familja Musa nga Maxhunaj.
Këshilli i BIK-ut në Vushtrri ka hedhur dyshime se pas projektit mund të qëndrojnë individë të njohur, sipas tij, për “retorikë përçarëse” dhe “nxitje të urrejtjes ndërfetare”.
Kola beson se në këtë rast BIK-u i është referuar lëvizjeve që bëjnë thirrje për largimin nga islami dhe për konvertimin në krishterim, mes tyre Lëvizjes së Deçanit dhe Lëvizjes për Rikthim.
“Asnjë lëvizje, as parti politike nuk është e përfshirë. Absolutisht jo”, tha Kola, duke nënvizuar se nisma drejtohet nga Dioqeza.
Lëvizja për Rikthim deklaroi për REL-in se nuk ka rol në projekt, por se, me kërkesë të banorëve, ka shpërndarë njoftimin për ceremoninë e 17 gushtit.
Arbër Gashi, përfaqësues i kësaj organizate, tha se synimi nuk është ndërtimi i kishave, por që “shqiptarët në mënyrë paqësore të rikthehen në besimin e të parëve”.
Kosova është shtet laik. Sipas regjistrimit të popullsisë të zhvilluar në vitin 2024, 93.49 për qind e qytetarëve u deklaruan myslimanë, 2.31 për qind ortodoksë dhe 1.75 për qind katolikë.
Përplasjet mes besimtarëve myslimanë dhe katolikë për çështjen e konvertimeve janë shfaqur shpesh në rrjetet sociale. Reagime të shumta janë bërë edhe pas publikimit të planit për ndërtimin e kishës në komunën e Vushtrrisë.
Gashi tha se Musë Musa, të cilin e përmendi si një nga personat që ka dhuruar tokë për ndërtimin e kishës, nuk është anëtar i Lëvizjes për Rikthim.
Më herët, një avokat ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj Musës, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit. Sipas pretendimit të avokatit, Musa ka bërë në rrjetet sociale thirrje për vrasjen e myslimanëve.
Prokuroria Speciale nuk dha koment për REL-in lidhur me këtë çështje.
Gashi deklaroi se Lëvizja për Rikthim nuk mbështet as gjuhën e urrejtjes dhe as fyerjet ndaj pjesëtarëve të një bashkësie tjetër fetare. Edhe Dioqeza tha se dënon çdo person që fyen besimtarët e cilësdo fe.
Nga Dioqeza thanë se, bazuar në të dhënat që disponojnë, në Vushtrri jetojnë më shumë se 100 besimtarë katolikë. Sipas tyre, “kur të arrihet numri i mjaftueshëm do t’iu drejtohemi organeve kompetente me projekt dhe lutje”.
Kjo shifër nuk përputhet me rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, ku vetëm 37 banorë të komunës së Vushtrrisë u deklaruan katolikë.
Kola tha se për ta çuar përpara projektin nevojiten mbi 300 deri në 500 persona.
Duke folur për ceremoninë e 17 gushtit, ai tha: “Ndërtimi as nuk ka qenë prezent në mendjen tonë, as në veprimin tonë, as nuk do të jetë derisa nuk do të kemi një subjekt të mjaftueshëm që të ndërtojmë një objekt”.
Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e besimit dhe të fesë për çdo qytetar. Konfesionet fetare kanë të drejtë ta organizojnë vetë veprimtarinë dhe ritet e tyre, si dhe të themelojnë shkolla fetare dhe institucione bamirësie. / REL
