Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi në Pikën Kufitare në Morinë.
Lajmin e kanë bërë publik familjarët përmes një postimi në Facebook, ku kanë njoftuar se ngjarja tragjike ndodhi në orët e para të mëngjesit në vendin e tij të punës.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të familjes, i ndjeri kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë.
“Me pikëllim të thellë ju njoftoj se sot, në orët e para të mëngjesit, në vendin e punës, në Pikën Kufitare në Morinë, si pasojë e një aksidenti tragjik trafiku, ndërroi jetë kushëriri im, Rexhep Zenel Gashi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informatave të para, ai kishte dalë për të marrë ajër të pastër kur u godit nga një veturë. Për kohën e ceremonisë së varrimit do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftimin e familjarëve.
Ndërkaq, Policia ka dhënë detaje shtesë për rastin, duke bërë të ditur se më 29.06.2026, rreth orës 02:40, në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë është raportuar një aksident trafiku me pasoja fatale.
Sipas policisë, viktima është goditur nga një veturë që drejtohej nga një i dyshuar mashkull, shtetas i Shqipërisë.
Në vendin ku ndodhi ngjarja kanë intervenuar të gjitha njësitë përkatëse të policisë, si edhe ekipi i emergjencës.
Mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar në mbajtje.
