Banorë të Magurës në Lipjan kanë firmosur një peticion me të cilin kërkojnë që personat e dyshuar si të përfshirë në incidentin e fundit të mos lejohen të rikthehen më në fshat.
Nënshkrimi i peticionit u bë gjatë një takimi me banorët, ku u shqyrtuan zhvillimet e fundit rreth rastit në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në fund të takimit, u vendos që dokumenti t’i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.
Të lidhura
None found
Ngjarja kishte ndodhur katër ditë më parë, kur, sipas dyshimeve, një grup personash nga komuniteti rom sulmuan para shtëpisë së tij Skënder Shahinin, si edhe veteranin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta.
Anëtari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramë Bardhi, deklaroi se personat që sipas tij mbajnë përgjegjësi për këtë rast nuk duhet të lejohen të hyjnë sërish në fshat.
“Shyqyr që s’ka ndodhur më e madhe, se ka mundur me ndodhur diçka hala më keq, po u ndal me aq. Unë jam i mendimit, në qoftë se edhe ju pajtoheni, këta kriminelë i kemi marrë emrat tuaj në nënshkrime krejt, mos me u kthyer në Magurë më kurrë”, tha ai.
Bardhi shtoi se kjo ngjarje nuk ka prekur vetëm tri familje, por të gjitha familjet e Magurës.
“Kjo nuk ka ndodhur me tri familje, por ka ndodhur me krejt familjet e Magurës. Është rast i të gjithëve”, theksoi Bardhi.
Edhe kryetari i Këshillit të fshatit Magurë, Ramiz Gashi, tha se rasti i fundit i ka tronditur banorët dhe u bëri thirrje qytetarëve që për çdo informacion që kanë të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë.
“Rasti i fundit që ka ndodhur na ka tronditur të gjithëve, është rast shumë i rëndë, rast që se kemi pritur askush nga disa kriminelë famëkeq, të cilët nuk kanë qenë të mirëpritur këtu asnjëherë. Sepse e dimë të gjithë çfarë kanë bërë ata këtu, Dhe ata të cilët dinë diçka për ta, mos ta mbajnë në vete, por le të dalin para drejtësisë dhe le të deklarohen. Jo unë kam dëgjuar, jo skam dëgjuar por nëse e di të vërtetëm, thuaje”
Gashi theksoi gjithashtu se rasti ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët, duke përmendur edhe veteranin e UÇK-së, Bekim Meta.
“Jemi shumë të shqetësuar për rastin e fundit me ushtarin tonë, Bekim Meta të cilin e kanë prekur do daur kriminale”, theksoi ai.
Në takim foli edhe banori i fshatit Shaban Qerimi, i cili shprehu mbështetjen për banorët e Magurës dhe tha se do të jenë pranë çdo vendimi që merret për këtë rast.
“Unë dua t’ju them të gjithë bashkëfshatarëve të mi se çdo vendim që do të merret, edhe ne ashkalinjtë jemi me ju”, theksoi ai.
Në lidhje me incidentin, Gjykata në Lipjan caktoi masën e arrestit shtëpiak për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së, Bekim Meta, si dhe për Skendër Shahinin, palë të përfshira në ngjarje.
