Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka reaguar pas dy rasteve të rënda që kanë tronditur komunën brenda pak ditësh. Bëhet fjalë për vrasjen e dyfishtë të ndodhur të premten dhe një ngjarje tjetër të regjistruar sonte, e cila gjithashtu përfundoi me humbje jete.
Të lidhura
None found
Hyseni u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të lënduarve u ka uruar shërim të shpejtë.
Për të diskutuar situatën dhe për të përcaktuar masat e nevojshme, ai ka njoftuar se të hënën në mëngjes do të mbledhë urgjentisht Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi, përcjell “Bota sot”.
Në këtë takim pritet të koordinohen veprimet për garantimin e rendit publik, forcimin e sigurisë në të gjitha pjesët e komunës dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.
Hyseni ka kërkuar nga qytetarët që të tregojnë qetësi, maturi dhe bashkëpunim të plotë me organet e rendit.
“Komuna e Gjilanit po kalon një periudhë të rëndë pas këtyre dy ngjarjeve tragjike. Pas vrasjes së dyfishtë të së premtes, qyteti ynë u përball sonte edhe me një tjetër incident që shkaktoi humbjen e një jete”, ka deklaruar ai.
“Në emër të Komunës së Gjilanit dhe personalisht, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve që humbën të afërmit e tyre në këto dy raste”, është shprehur Hyseni.
Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen urgjente do të marrin pjesë edhe udhëheqja e Policisë së Kosovës, si dhe institucionet përgjegjëse për rendin dhe zbatimin e ligjit, me të cilat do të bashkërendohen hapat e menjëhershëm për sigurinë publike.
Sipas tij, ruajtja e jetës së qytetarëve mbetet prioriteti kryesor institucional. Komuna do t’i shfrytëzojë të gjitha kompetencat që ka për të bashkëpunuar me organet e sigurisë në menaxhimin dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla.
“I bëj thirrje çdo qytetari për qetësi, maturi dhe bashkëpunim të plotë me organet e rendit”, ka përfunduar ai.






