Fitore Pacolli, ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka reaguar ndaj shqetësimeve të banorëve për vendosjen e laurës në rrugën që të çon në Prevallë.
Në një postim të publikuar në Facebook, ajo ka theksuar se nuk do të merret asnjë vendim pa bisedime me banorët dhe palët e interesuara.
Të lidhura
None found
“Të nderuar banorë të Prevallës dhe fshatrave përreth, kam përcjellë shqetësimet e ngritura lidhur me vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë. Dua t’ju siguroj se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka sqaruar se çështja e vendosjes së laurës, si dhe forma e menaxhimit të qarkullimit, do të trajtohen në diskutim të përbashkët me banorët, me synimin që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme.
Pacolli është shprehur se nuk ka nevojë për protesta për këtë çështje dhe ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të mbahet një takim me banorët.
Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit.
