Më 27.07.2026, në orën 10:42, u raportua se Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, të akuzuar për sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër Lepencit në Zubin Potok, ishin sjellë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë nën masa të rrepta sigurie.
Të lidhura
None found

Procesi gjyqësor në Pallatin e Drejtësisë nisi në orën 10:00. Në seancën e mbajtur më 9 korrik, të tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm dhe kishin refuzuar leximin e aktakuzës.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale thuhet se më 29.11.24, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc” në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut, të pandehurit Viqentijeviq, pas një marrëveshjeje paraprake me disa persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar, vendosën brenda kanalit rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit Trinitrotoluene “TNT”.
Vëllezërit Viqentijeviq ngarkohen me akuzën se e aktivizuan lëndën shpërthyese nëpërmjet një çante, të cilën e kishin lidhur me litar pas një shtylle betoni.
Shpërthimi shkaktoi dëmtime të rënda në strukturën prej betoni të kanalit “Ibër Lepenc”, ndërpreu furnizimin me ujë të pijshëm dhe vuri në rrezik prodhimin e energjisë elektrike. Dëmi që iu shkaktua ndërmarrjes “Ibër Lepenc” llogaritet në 376,774.70 euro.
Sipas Prokurorisë Speciale, përmes këtyre veprimeve të pandehurit Viqentijeviq kanë konsumuar veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve publike”, të parashikuar nga neni 122, në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste”.
