Edhe pse disa muaj më parë këmbëngulte se posti i presidentit duhej t’i besohej një figure jopartiake dhe bashkuese, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë po e kushtëzon përkrahjen për krijimin e institucioneve me emërimin e një kandidati të saj në këtë detyrë.
Të lidhura
None found
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se 18 deputetët e kësaj partie mund të votojnë në mënyrë të unifikuar vetëm në rast se kandidati për president del nga radhët e LDK-së.
Çështja që shtrohet është nëse kemi të bëjmë me një lëvizje nga qëndrimi i mëparshëm i partisë, apo me një situatë të re politike që ka sjellë një qasje tjetër.
Për këtë zhvillim, në një prononcim për “Bota sot”, profesori Nijazi Halili tha se deklarata e fundit e Hazirit e rikthen në fokus një praktikë të njohur të politikës në Kosovë, atë të shkëmbimit të posteve institucionale për të siguruar shumicën parlamentare.
“Deklaratat e fundit të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, lidhur me mundësinë që LDK t’i ofrojë 18 votat e saj në Kuvendin e Kosovës në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, në këmbim të postit të Presidentit, rikthejnë në qendër të vëmendjes një praktikë tashmë të njohur në politikën kosovare: shkëmbimin e pozicioneve institucionale për sigurimin e shumicave parlamentare.
Nga këndvështrimi politik, kjo qasje nuk përbën një risi për kulturën e koalicioneve në Kosovë. Megjithatë, ajo krijon një tension të dukshëm me diskursin e mëhershëm publik të LDK-së, e cila në mënyrë të përsëritur ka theksuar nevojën për një president konsensual, mbipartiak dhe unifikues”.
Sipas Halilit, kjo mënyrë veprimi nuk është e re në kulturën e koalicioneve në vend, por njëherazi e dëmton LDK-në për shkak të ndryshimit të qasjes së saj politike.
Ai theksoi gjithashtu se synimi i LDK-së për të marrë postin e presidentit tregon një zhvendosje nga koncepti i një figure neutrale shtetërore drejt një kandidature të hapur partiake.
Për këtë aspekt, profesori u ndal më gjerësisht te ndryshimi i qëndrimit parimor të kësaj partie.
“Deklarata e Hazirit, sipas së cilës votat e LDK-së do të unifikoheshin vetëm në rast se kandidati për president vjen nga vetë radhët e partisë, duke përmendur edhe emra si Lumir Abdixhiku apo vetë ai, e zhvendos theksin nga ideja e një figure neutrale shtetërore drejt një kandidature të qartë partiake.
Kjo qasje krijon perceptimin e një ndryshimi në qëndrimin parimor: nga kërkesa për një president jopartiak si standard institucional, në një pozicionim politik që e kushtëzon mbështetjen me përfaqësim të drejtpërdrejtë partiak në postin më të lartë shtetëror.
Në këtë kuptim, mund të thuhet se LDK nuk e ka braktisur plotësisht idenë e presidentit unifikues, por e ka riformuluar atë në funksion të realpolitikës dhe balancave të reja në Kuvendin e Kosovës”.
Në përfundim, ai vlerësoi se deklaratat e fundit të LDK-së për postin e presidentit flasin më shumë për një lëvizje taktike politike sesa për një ndryshim ideologjik.
“Në përmbyllje, ky pozicionim duket më shumë si një qasje taktike e momentit sesa një ndryshim i thellë ideologjik, duke reflektuar dinamikën e zakonshme të negociatave politike në një sistem parlamentar ku kompromisi mbetet instrumenti kryesor i funksionimit institucional”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.

