Gjatë vizitës së tij në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Kurti në Facebook, biseda u përqendrua te zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe përparimi i shënuar gjatë viteve të fundit. Në takim u përmend edhe largimi i Kosovës nga lista e shteteve të brishta dhe në konflikt, si dhe kalimi nga përfituese në donatore e Agjencisë Ndërkombëtare për Zhvillim.
Të lidhura
None found
Kurti deklaroi se ekonomia e Kosovës ka vijuar të rritet dhe se, në mandatin e ardhshëm qeverisës, prioritet do të jetë krijimi i vendeve më cilësore dhe më të paguara të punës.
Ai theksoi gjithashtu se synohet shtimi i pjesëmarrjes së të rinjve dhe grave në tregun e punës. Në këtë kuadër, Kurti vuri në dukje edhe rëndësinë e orientimit të remitencave dhe kursimeve të mërgatës drejt sektorëve produktivë të ekonomisë.
Gjatë takimit, kryeministri tha se papunësia është ulur nga 26% në 10%, ndërsa nënvizoi se fokusi i mandatit të ardhshëm do të jetë rritja e cilësisë së punësimit dhe e pagave.
Presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, prezantoi planin për mbështetjen e shteteve anëtare në krijimin e vendeve më cilësore të punës. Sipas tij, kjo mbështetje do të përfshijë fusha si ndërtimtaria, bujqësia produktive, shëndetësia, turizmi dhe prodhimtaria.
