Kurti kujton masakrën e Krushës: Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar masakrën e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, ku u vranë mbi 300 civilë.

Në rrjetin social Facebook Kurti ka shkruar se në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte planin gjenocidal “Patkoi” për shfarosjen e popullsisë shqiptare vendase në Kosovë ku më 26 mars forcat e Serbisë sulmuan fshatrat, ku vranë 243 civilë shqiptarë në masakrën në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të vogël.

Këto janë dëshmitë e gjenocidit të Serbisë, që me forcat policore e ushtarake, u përpoq të shfarosë shqiptarët në Kosovë.

“Kujtesa e Kosovës” titullohet vëllimi i librave me dëshmitë e rrëfimet të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe, që u promovua mbrëmë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Kujtesa e Kosovës është e freskët. Themelimi dhe funksionalizimi i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka për qëllim dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës së fundit në Kosovë, krimeve kundër njerëzimit dhe veprimeve gjenocidale nga Serbia. Ky është një nga obligimet e shumta që po përmbushet ndaj kujtimeve tona si popull dhe kërkesës për drejtësi”, ka shkruar Kurti.


Shtuar 26.03.2024 15:44