Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se rinumërimi i 185 vendvotimeve të rregullta nuk ka prodhuar gjetje që do të justifikonin përfshirjen e vendvotimeve të tjera në këtë proces.
Sipas KQZ-së, ky verifikim është kryer për të kontrolluar saktësinë e numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa rezultati ka treguar se dallimet e konstatuara kanë qenë të vogla dhe nuk përbëjnë bazë për zgjerim të mëtejmë të rinumërimit.
Të lidhura
None found
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për kp se mostra e përzgjedhur ka përfshirë vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës. Ai sqaroi se gjetjet lidhen kryesisht me rikategorizimin e fletëvotimeve nga të pavlefshme në të vlefshme, si edhe me gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar.
Elezi: Nuk është konstatuar ndonjë bazë që do të kërkonte zgjerimin e rinumërimit
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rinumëruar 185 nga gjithsej 2,498 vendvotime të rregullta, fletëvotimet e të cilave ishin numëruar më parë në Qendrat Komunale të Numërimit. Mostra e përzgjedhur ka përfshirë vendvotime nga të gjitha komunat, me qëllim të verifikimit të saktësisë së procesit të numërimit. Rinumërimi i 7.41% të vendvotimeve të rregullta nuk ka evidentuar gjetje që do të arsyetonin nevojën për rinumërime të tjera. Dallimet e konstatuara kanë qenë minimale dhe lidhen kryesisht me rikategorizimin e fletëvotimeve nga të pavlefshme në të vlefshme si dhe me gabime njerëzore gjatë numërimit fillestar. Për rrjedhojë, nuk është konstatuar ndonjë bazë që do të kërkonte zgjerimin e procesit të rinumërimit në vendvotime të tjera”, tha Elezi.
Ai theksoi se ndryshimet e vërejtura te votat e kandidatëve për deputetë kanë qenë pothuajse të papërfillshme. Në 92 për qind të rasteve, sipas tij, dallimi ka rezultuar vetëm një votë për kandidatin në vendvotimin përkatës, ndërsa rastet me lëvizje më të mëdha kanë qenë të rralla.
Elezi: Janë evidentuar 77 raste me zbritje 2 vota
“Pas rinumërimit, nga krahasimi i votave të kandidatëve për deputetë, gjetjet tregojnë se shumica e dallimeve janë minimale. Në 92% të rasteve dallimi ka qenë vetëm 1 votë për kandidat në atë vendvotim. Kjo të thotë se nëse një kandidat kishte 50 vota në një vendvotim nga numërimi i parë, pas rinumërimit rezultati i tij mund të ketë dalë me 49 vota ose 51 vota. Ndryshimet më të mëdha se një votë kanë qenë të rralla: 118 raste me rritje 2 vota; 16 raste me 3 vota; dhe vetëm 2 raste me katër vota më shumë. Ndërkaq, janë evidentuar 77 raste me zbritje 2 vota; 4 raste me zbritje 3 vota dhe 2 raste me zbritje 4 vota”, tregoi Elezi.
Edhe te subjektet politike, korrigjimet e regjistruara kanë qenë minimale. Në 27 vendvotime të shpërndara në 16 komuna janë shënuar ndryshime, ku në total janë shtuar 36 vota dhe janë hequr 20, çka sjell një diferencë neto prej vetëm 16 votash.
Elezi: Subjekteve politike u janë shtuar gjithsej 36 vota
“Po ashtu, pas rinumërimit të 185 vendvotimeve, ndryshime në votat e subjekteve politike janë evidentuar në 27 vendvotime të 16 komunave. Në përgjithësi, subjekteve politike u janë shtuar gjithsej 36 vota, ndërsa u janë zbritur 20 vota. Për shembull, një subjekt (A) mund të ketë pasur 100 vota në numërimin fillestar dhe pas rinumërimit të ketë 102 vota (+2). Një tjetër subjekt (B) mund të ketë pasur 80 vota dhe të ketë zbritur në 78 (-2), ndërsa një subjekt tjetër (C) mund të ketë pasur ndryshim të vogël, p.sh. +1 ose pa ndryshim fare. Kjo tregon se rezultatet e subjekteve politike para dhe pas rinumërimit janë pothuajse të njëjta, me korrigjime minimale në disa vendvotime” tha Elezi.
Gjatë këtij procesi, sipas Elezit, nuk është bërë vetëm verifikimi i rezultateve, por janë evidentuar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me vlerësimin e fletëvotimeve, kontrollin e nënshkrimeve në listat e votuesve dhe ngjashmëritë në mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve. Ai tha se këto raste janë regjistruar sipas vendvotimeve dhe, në momentin kur janë evidentuar në QNR, janë njoftuar organet kompetente për trajtim të mëtejmë.
Kjo tablo ndryshon nga ajo që ishte paraqitur pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar. Atëherë, verifikimi i numërimit në disa vendvotime kishte ngritur dyshime serioze për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë, çka e kishte shtyrë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vendoste rinumërimin e të gjitha vendvotimeve. Me urdhër të Prokurorisë, ishin arrestuar qindra persona të përfshirë në procesin e numërimit të votave, të cilët përfaqësonin subjekte të ndryshme politike.
Megjithatë, vetëm disa muaj më pas, në zgjedhjet e 7 qershorit të këtij viti, rinumërimi ka nxjerrë një situatë krejt tjetër.
Në zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 28 dhjetor 2025, KQZ kishte vendosur rinumërimin e të gjitha vendvotimeve pasi gjatë verifikimeve fillestare dhe rinumërimit të një pjese të tyre ishin konstatuar mospërputhje në numërimin e votave të kandidatëve. Sipas KQZ-së, shqyrtimi i videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe kontrolli i fletëvotimeve në një mostër vendvotimesh kishin treguar se në disa raste votat e regjistruara në rezultatet e numërimit nuk përputheshin me votat e shënuara në fletëvotime. Për të siguruar saktësinë e rezultatit përfundimtar dhe integritetin e procesit zgjedhor, ishte marrë vendim që të rinumëroheshin të gjitha 2,557 vendvotimet e rregullta, ndërsa procesi kishte zgjatur gati tri javë.
