Konfirmohet rasti i parë me variantin afrikan të Covid-19 në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) bën me dije se është konfirmuar për herë të parë varianti afrikan i koronavirusit në Kosovë.

IKSHPK deklaron se pacienti është hospitalizuar dhe është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ekipet hulumtuese të IKSHPK-së po gjurmojnë aktualisht të gjitha burimet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut.

“Duke qenë se tashmë rasti është kontaktuar, do të hulumtohen kontaktet për identifikimin eventual të rasteve të reja. Rastet e tilla të virusit mutagjen janë regjistruar tashmë në shumë vende të botës”, njofton IKSHPK.

“Masat parandaluese janë të njëjta. Personat të cilët rezultojnë pozitivë duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit”, theksohet në njoftim.

Shtuar 8.06.2021 02:06