Behar Preniqi vazhdon të qëndrojë i arrestuar në Serbi që nga gushti i vitit 2025.
Të lidhura
None found
Ai u ndalua nga autoritetet serbe në Batrovc, gjatë kalimit të kufirit mes Kroacisë dhe Serbisë.
Preniqi nuk është rasti i vetëm i shqiptarëve që ndodhen prapa grilave në Serbi.
Osman Selmani u arrestua në korrik të vitit 2026 në pikën kufitare të Mitovodës, teksa po kthehej nga vetëlindja. Ndërkaq, më 2 gusht të këtij viti, në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë u ndalua edhe Mentor Mustafa.
Sipas autoriteteve serbe, të tre akuzohen për pretendime që lidhen me krime lufte ndaj popullatës civile. Familjarët e tyre i kanë mohuar këto akuza.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së vlerëson se arrestimet e shqiptarëve nga Serbia kanë një synim të caktuar.
“Ideja është më njollosë luftën tonë çlirimtare, me kriju narrativë me kriminalizua luftën tonë të drejtë e çlirimtare që e kemi pas prandaj për neve nuk është diçka e re. Jemi mesuar me këtë qasje të Serbisë. Duhet me pas kujdes mos me kalu nga Serbia pasojat mund të jenë aq të mëdha nuk ka kush të vijë mbrapsht edhe shteti është i pafuqishëm në raport më këto ngjarje. Bashkësia ndërkombëtare duhet me bo trusin që Serbia mos më bo gjëra të tilla”, tha Gazmend Syla.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin kalimin nëpër territorin serb, duke paralajmëruar për pasojat e arrestimeve.
“Të gjitha këto arrestime pastaj të gjitha këto lirime janë të kushtueshme materialisht por edhe politikisht sepse Serbia kur të bënë një arrestim të shqiptarëve nga Kosova kur e bënë një arrestim të shqiptarëve nga Kosova i kërkon disa lehtësime edhe për palët është një pazar që bëhet prapa perdeve që ne nuk e shohim”, tha Behgjet Shala.
Paralajmërime për kujdes janë dhënë edhe nga Fondi për të Drejta Humanitare.
“Ne po e shohim që kohë pas kohe, shtetasit e Kosovë po arrestohen në rastin e kalimit të kufirit nëpërmjet Serbisë, sigurisht që të njëjtit duhet të jenë të kujdesshëm sidomos ata të cilët kanë qenë të përfshirë në luftën e fundit të cilët kanë qenë pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të i evitojnë këto ndalime. Për arsye se kohëve të fundit po shohim edhe në serbi edhe në Kosovë kanë filluar ngritjet e aktakuzave në mungesë ndaj të pjesëtarëve të cilët kanë marrë pjesë në luftë qoftë ndaj forcave serbe apo ndaj ushtarëve të UÇK-së”, u shpreh Amer Alija.
Pas afro një muaji në paraburgim, të premten u lirua Dukagjin Maxhuni, i cili ishte arrestuar më 12 gusht të këtij viti.
Më herët, nga burgjet serbe ishin liruar edhe Mithat Lozhani dhe Hazir Haziri.
