Andin Hoti, ministër në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ka njoftuar se gjatë vizitës në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë ka adresuar çështjen e personave të zhdukur me dhunë në luftën e Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një postim në Facebook, Hoti bëri të ditur se sot është takuar me përfaqësues të sekretariatit të Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë dhe të Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Sipas tij, delegacioni kërkoi një përfshirje më të madhe të faktorit ndërkombëtar në përpjekjet për të sqaruar fatin e personave që vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Hoti theksoi se Serbia, si shtet palë në Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë, duhet të mbajë përgjegjësi për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo Konventë.
Përfaqësuesve të OKB-së iu dorëzua gjithashtu një kërkesë zyrtare për shtimin e përpjekjeve ndërkombëtare në sigurimin e informacioneve dhe dokumentacionit që mund të shërbejnë për lokalizimin e të zhdukurve, sqarimin e rrethanave në të cilat ata u zhdukën dhe çuarjen përpara të drejtësisë.
Ministri në detyrë deklaroi se fati i personave të zhdukur me dhunë nuk mund të vazhdojë të kushtëzohet nga kalimi i kohës apo nga vullneti politik. Ai nënvizoi se familjet meritojnë ta mësojnë të vërtetën, ndërsa drejtësia dhe përgjegjësia nuk mund të kufizohen në kohë.
Pjesë e delegacionit, krahas Hotit, ishin Mirishahe Limani Hiller, themeluese e Shoqatës kulturore në Gjenevë “Dora d’Istria”, Lisa Mazzone, Kryetare e Partisë së të Gjelbërve të Zvicrës, Sebastien Gricourt, ish-anëtar i KNKK-së, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe atij ukrainas.
