Muzikanti amerikan D4vd ka mbetur pa ekipin e avokatëve të njohur që ishin angazhuar për mbrojtjen e tij në procesin gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçares Celeste Rivas Hernandez, pasi ata u tërhoqën nga çështja.
Të lidhura
None found
David Anthony Burke, siç është emri i vërtetë i D4vd, u shpreh i pafajshëm të hënën para gjykatës në Los Angeles, ndërsa autoritetet gjyqësore caktuan seancën paraprake për 19 tetor.
21-vjeçari përballet me akuzën e vrasjes së Hernandez, trupi i së cilës u zbulua në shtator 2025 brenda një automjeti Tesla të lidhur me adresën e tij. Sipas prokurorëve, Burke dyshohet se e vrau vajzën pas një periudhe abuzimi seksual dhe më pas e copëtoi trupin e saj.
Treshja e avokatëve Blair Berk, Marilyn Bednarski dhe Regina Peter, që kishin marrë përsipër përfaqësimin e këngëtarit, njoftuan për BBC se gjykata kishte aprovuar tërheqjen e tyre nga çështja. Në mungesë të tyre, Burke do të përfaqësohet nga Zyra e Avokatit Publik të Qarkut të Los Angeles.

Blair Berk, e cila udhëhiqte mbrojtjen, njihet për përfaqësimin e mëparshëm të figurave të njohura si Mel Gibson, Harvey Weinstein, Britney Spears dhe Lindsay Lohan.
“Ne vijojmë ta mbështesim Davidin dhe mbrojtjen e tij ndaj këtyre akuzave të rënda”, u shprehën avokatët në deklaratën e tyre.
Zëvendës avokati publik Walid Kandeel deklaroi se Burke ka të drejtë për një mbrojtje që i trajton seriozisht rrethanat e tij dhe shqyrton me kujdes provat.
Burke akuzohet për vrasje të shkallës së parë, gjymtim të eshtrave njerëzore dhe abuzim seksual ndaj një të miture. Akuzat për vrasje përfshijnë rrethana të veçanta që lidhen me përfitimin financiar, çka mund të sjellë për të edhe dënimin me vdekje.
Prokurorët mendojnë se motivi i krimit lidhej me frikën e Burke se Hernandez do të ekspozonte marrëdhënien e tij me një të mitur dhe kjo do t’i dëmtonte karrierën muzikore.
Në seancën paraprake dolën në dritë mesazhe kërcënuese që 14-vjeçarja i kishte nisur Burke më 22 prill 2025. Sipas prokurorisë, një ditë më pas Hernandez shkoi në banesën e Burke në Hollywood me një Uber që ai kishte porositur për ta marrë, dhe pretendohet se ai e sulmoi me thikë sapo ajo arriti.
Prokurori i Qarkut të Los Angeles, Nathan Hochman, tha se zyra e tij është e përgatitur të vazhdojë ndjekjen penale ndaj Burke, ndërsa pranoi se ndërrimi i ekipit mbrojtës mund të shkaktojë vonesa në proces.
