Allison Guerriero, ish-e dashura e Charles McGonigal, ish-drejtorit të zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, është gjetur e vdekur, raporton Daily Mail. Guerriero kishte informuar autoritetet amerikane për aktivitetet e paligjshme të ish-zyrtarit.
Vdekja e saj ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga episodet më të bujshme të çështjes McGonigal. Ish-zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane u dënua në SHBA për shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë, si edhe për fshehjen e pagesave që kishte marrë nga një ish-punonjës i shërbimeve të inteligjencës shqiptare.
Të lidhura
None found
Guerriero kishte një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimet që tërhoqën vëmendjen e opinionit publik shqiptar. Pas ndarjes nga McGonigal, ajo u kishte dhënë hetuesve amerikanë informacione për veprimtarinë e tij, përfshirë edhe marrëdhënien me kryeministrin Edi Rama.
Në deklaratat e saj publike, Guerriero kishte thënë se McGonigal i kishte treguar për një udhëtim të planifikuar drejt Shqipërisë, ku do të takohej me Edi Ramën. Megjithatë, sipas saj, ai nuk i kishte bërë të ditur arsyen konkrete të këtyre takimeve.
Ajo kishte pohuar gjithashtu se ish-zyrtari i FBI-së dhe Rama kishin një raport personal dhe se McGonigal e përmendte shpesh kryeministrin shqiptar. Dëshmitë e Guerrieros u konsideruan veçanërisht të rëndësishme pas publikimit të aktakuzës nga autoritetet amerikane, ku emri i Edi Ramës shfaqej në disa pjesë të dokumentit zyrtar.
