Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministër, ka hedhur kritika ndaj mënyrës se si Qeveria e Kosovës është sjellë ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare, duke e përshkruar këtë periudhë të pesë viteve të fundit si “degradim diplomatik”.
Në një postim në Facebook, ai ka vlerësuar se ekzekutivi ka refuzuar ta zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, e cila, sipas tij, tashmë po trajtohet si obligim ndërkombëtar për Kosovën.
Të lidhura
None found
Hoti ka nënvizuar se Marrëveshja e Uashingtonit vazhdon të mbetet pa u zbatuar edhe gjashtë vjet pas nënshkrimit, duke përfshirë këtu edhe projektin për gazin amerikan.
“Marrëveshja e Uashingtonit nuk u zbatua tash e gjashtë vite. Edhe sot, kur gjithë Evropa është zgjuar në këmbë për të eliminuar plotësisht çdo varësi nga gazi rus, Kurti dhe sejmenët e tij e refuzojnë projektin e gazit amerikan duke përrallisur për alternativa të tjera të furnizimit me energji”, ka shkruar ai.
Sipas Hotit, qasja ka qenë krejt tjetër kur bëhet fjalë për Marrëveshjen e Ohrit.
“Por nuk kanë hezituar të pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas Sorensenit tani përbën obligim ndërkombëtar të Kosovës”, ka shtuar ai.
Postimit të tij ai ia ka bashkangjitur edhe një fotografi nga deklarata e djeshme e Peter Sorensen, emisar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi. Gjatë Forumit të Dubrovnikut, Sorensen deklaroi se Marrëveshja e Ohrit përbën zotim ndërkombëtar dhe mbetet në fuqi edhe pse nuk është nënshkruar.
