Lidhja Demokratike e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje të Kryesisë së bashku me kryetarët e degëve, ku në fokus janë situata paszgjedhore dhe veprimet e ardhshme politike. Nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri, ka theksuar se LDK-ja vazhdon të jetë e përkushtuar për të luajtur rol aktiv në ndërtimin e institucioneve.
Ky takim po mbahet pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, në një kohë kur janë paraqitur edhe kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Të lidhura
None found
Sipas Hazirit, Kolegjiumi i Degëve është duke e shqyrtuar gjendjen e krijuar pas zgjedhjeve, ndërsa qëndrimet zyrtare të subjektit do të publikohen vetëm pasi të përfundojë mbledhja.
“Sot e kemi Kolegjiumin e Degëve të LDK-së. Në situatë paszgjedhore është pjesë e punës ku kryetari i LDK-së dhe organet e LDK-së fillojnë me e trajtu situatën paszgjedhore. Kjo është në funksion të proceseve politike në të cilën LDK-ja ka vendosë parimisht të jetë pjesë aktive e ndërtimit të institucioneve. Dhe natyrisht për krejt çështjet, pas përfundimit të takimit del dikush në emër të LDK-së që flet. Gjithçka që do të dalë nga ky takim do të njoftoheni pas takimit”, tha Haziri.
Mbledhja e Kryesisë së LDK-së ka filluar në orën 15:00 me praninë e kryetarëve të degëve, ndërsa pritet që gjatë saj të trajtohen zhvillimet politike pas zgjedhjeve, si dhe pozicioni që partia do të mbajë në proceset e ardhshme institucionale.
