Fitore Pacolli, ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka bërë të ditur se ka filluar zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponi sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Ajo njoftoi se qytetarët tashmë kanë mundësi t’i dërgojnë mbeturinat në deponitë sanitare në Mirash, Landovicë, Velekincë dhe Dumnicë, ku u ofrohet një hapësirë e ligjshme dhe e sigurt për depozitimin e tyre.
Të lidhura
None found
Sipas Pacollit, këto deponi do të pranojnë mbeturina nga qytetarët çdo të shtunë, në intervalin kohor prej orës 08:00 deri në 16:00.
Ajo theksoi se, me ofrimin e këtij shërbimi, nuk duhet të ketë më asnjë arsye apo justifikim për hedhjen e mbeturinave në natyrë apo në deponi ilegale.
Pacolli gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të japin kontributin e tyre në mbrojtjen e mjedisit, duke nënvizuar se përgjegjësia për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër u takon të gjithëve.
“Të gjithë kemi për detyrë që ambientin ta ruajmë e Kosovën tonë ta bëjmë të pastër e të gjelbër”, ka shkruar Pacolli në njoftimin e saj.
