Pas zgjedhjeve parlamentare, partitë kryesore kanë hyrë në bisedime për ngritjen e institucioneve, të shoqëruara me kërkesa dhe kushte politike.
Të lidhura
None found
Në këtë kuadër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka lënë të kuptohet se 18 votat e deputetëve të saj mund të vihen në funksion të një marrëveshjeje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje, por vetëm nëse posti i presidentit i takon LDK-së dhe kandidati vjen nga radhët e saj.
Kjo qasje ka nxitur diskutime lidhur me atë nëse LDK-ja ka ndryshuar qëndrim nga deklarimet e saj të mëhershme, kur këmbëngulte që presidenti të ishte figurë jopartiake. Nëse bëhet fjalë për përshtatje me realitetin e ri politik apo për largim nga parimet e shpallura pak muaj më parë, mbetet pjesë e debatit publik.
Pikërisht për këtë çështje, Gazmend Halilaj foli për “Bota sot”, duke vlerësuar se kërkesa e LDK-së hap një debat serioz mbi qëndrueshmërinë politike, për shkak se vetëm disa muaj më parë kjo parti insistonte në një president jopartiak.
Sipas Halilajt, qëndrimi i fundit i nënkryetarit Haziri e bën të dukshëm ndryshimin në pozicionin politik të LDK-së.
“Kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës që posti i Presidentit t’i takojë kësaj partie si kusht për dhënien e votave për konstituimin e institucioneve ngre çështje serioze të konsistencës politike dhe të përgjegjësisë publike. Duke analizuar deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të LDK-së, vërehet se kjo parti për muaj të tërë ka mbrojtur idenë e një presidenti jopartiak, konsensual dhe unifikues, duke argumentuar se institucioni i Presidentit duhet të qëndrojë mbi interesat partiake dhe të përfaqësojë unitetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Megjithatë, deklaratat e fundit të nënkryetarit Lutfi Haziri, sipas të cilave deputetët e LDK-së mund të unifikohen vetëm nëse kandidati për President vjen nga radhët e vetë partisë, dëshmojnë një ndryshim të qartë të qëndrimit politik”, deklaroi ai.
Ai theksoi gjithashtu se zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se kërkesa e mëhershme e LDK-së për një president jopartiak nuk ka qenë një parim i qëndrueshëm politik.
“Në aspektin politik dhe juridik, kjo paraqet një kontradiktë me narrativën e mëparshme të LDK-së. Nëse më herët kërkohej një figurë jashtë strukturave partiake, tani po kërkohet që posti t’i rezervohet ekskluzivisht një subjekti politik dhe madje emrat e përmendur janë drejtues të lartë të vetë partisë. Kjo krijon perceptimin se kërkesa për president jopartiak nuk ka qenë një parim i qëndrueshëm, por një pozicion i përkohshëm politik i lidhur me rrethanat e momentit”.
Më tej, Halilaj u shpreh se në politikë kompromiset janë të domosdoshme, por sipas tij ato duhet të mbështeten mbi parime të qarta dhe jo mbi lëvizje të shpeshta të qëndrimeve politike.
“Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve ka legjitimitetin më të madh elektoral për të udhëhequr procesin e formimit të institucioneve. Kushtëzimi i votave me marrjen e postit të Presidentit mund të interpretohet si një përpjekje për të siguruar përfitime politike që nuk burojnë drejtpërdrejt nga vullneti i shprehur i qytetarëve në zgjedhje. Në një demokraci parlamentare, kompromiset janë të nevojshme, por ato duhet të ndërtohen mbi parime të qarta dhe të qëndrueshme, jo mbi ndryshime të shpeshta të qëndrimeve sipas interesit politik të momentit”.
Në përfundim, ai tha se deklaratat e fundit të LDK-së për synimin që posti i presidentit t’i takojë kësaj partie e vendosin atë në kundërshtim me atë që kishte deklaruar më herët.
“Prandaj, kërkesa aktuale e LDK-së mund të konsiderohet si largim nga deklaratat e saj të mëparshme për një president jopartiak dhe si dëshmi e një qasjeje më shumë pragmatike sesa parimore. Kjo e bën të vështirë të argumentohet se pozicioni i sotëm është në përputhje me atë që partia ka promovuar publikisht muaj më parë”, përmbylli Gazmend Halilaj për “Bota sot”.

