Gjoba në Gjilan dhe pezullim aktiviteti për tri biznese pa leje mjedisore

Ministrja Fitore Pacolli ka bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë masa ndaj subjekteve që kanë ushtruar veprimtari pa autorizimet e nevojshme mjedisore.

Gjatë kësaj jave, një kompanie për përpunimin e betonit në Gjilan i është shqiptuar gjobë, ndërsa dy kompani në Klinë dhe një fabrikë në Lipjan janë urdhëruar të ndalojnë punën për shkak të mungesës së lejeve përkatëse.

Të lidhura

None found

Sipas njoftimit të Pacollit në Facebook, kontrollet inspektuese kanë përfshirë edhe gurthyes, si dhe operatorë që merren me përpunimin e mishit dhe produkteve të qumështit. Vëmendje e veçantë u është kushtuar respektimit të lejeve mjedisore dhe mbrojtjes së ujërave.

Inspektorati po ndjek gjithashtu zbatimin e vendimeve të marra më herët, përmes monitorimit të situatës në terren. Në të njëjtën kohë, autoritetet po shqyrtojnë edhe ankesat e paraqitura nga qytetarët.

Ministrja ka paralajmëruar se kontrollet do të shtrihen në të gjithë sektorët që mund të paraqesin rrezik për mjedisin dhe se aktivitetet ndotëse apo në kundërshtim me ligjin nuk do të tolerohen.

Inspektimet dhe masat ligjore ndaj bizneseve që veprojnë pa leje mjedisore do të vijojnë.


Shtuar më 10.10.2026 18:50