Punëtorët që humbin vendin e punës pritet të marrin mbështetje financiare përmes Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Të lidhura
None found
Krijimi i këtij fondi është premtuar nga kryeministri Albin Kurti gjatë prezantimit të planit qeverisës.
Sipas Kurtit, fondi do të shërbejë për të ndihmuar të papunët, por edhe për të mbuluar pushimin e lehonisë dhe atë prindëror.
“Fondi i Sigurimeve Shoqërore, për ta mbështetur punëtorin pas humbjes së vendit të punës, si dhe për mbulimin e pushimit të lehonisë dhe pushimit prindëror”, tha Kurti.
Kërkesa për themelimin e një fondi të tillë është ngritur prej kohësh nga Sindikata e Sektorit Privat.
Përfaqësuesi i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, tha se një fond i sigurimeve sociale është kërkuar prej dekadash, veçanërisht për mbështetjen e punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës.
“Ne ka me dekada që kërkojmë që në Kosovë të jetë një fond i sigurimeve sociale. Në rënd të parë një fond do t kishte mjete për puntorët të cilët humbin jetën në vendet e tyre të punës e që nuk është numër i vogël. Realisht ky fond është shumë i nevojshëm, i mjaftueshëm në çdo protestë që e kemi bërë dhe grevë e kemi kërkuar”, deklaroi Azemi.
Megjithatë, në Sindikatën e Sektorit Privat shprehen dyshime se ky premtim do të zbatohet.
Azemi tha se sindikata ka dorëzuar disa herë kërkesa të protokolluara për krijimin e fondit, por deri tani ai nuk është formuar.
“Unë fare nuk besoj që do ta bëjë këtë, kjo është sa për të dalë me një program qeverisës, sepse kemi kërkuar më disa herë më kërkesa të protokolluara që të ndodhë ky fond dhe ky nuk po ndodhë”, theksoi Azemi.
Edhe profesori i ekonomisë, Fidan Qerimi, është skeptik për realizimin e kësaj nisme.
Qerimi kujtoi se Kosova ka një fond të krijuar për sigurimet shëndetësore, i cili, sipas tij, nuk është zbatuar prej gati një dekade.
“Unë uroj që të bëhet ky fond, ne e kemi një fond që është krijuar për sigurime shëndetësore e që nuk po implementohet gati që një dekadë. Uroj që ky fond të bëhet dhe të dilet në ndihmë personave që mbesin pa punë. Më tepër do të duhej që ne si ekonomi të orientohemi ka zhvillimi ka potenciali jonë ekonomik e të shohim një model ekonomik me të cilin ne do ta zhvillonim vendin”, vlerësoi Qerimi.
Gjatë prezantimit të planit, Kurti premtoi gjithashtu pagën e 14-të për punëtorët e sektorit publik dhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit privat.
