Në Nju Jork u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm të Kartës së Adriatikut, i organizuar nën kryesimin e Kroacisë. Në këtë takim mori pjesë edhe kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca.
Të lidhura
None found
Pas këtij takimi, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u shpreh në platformën X se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut duhet të shqyrtohet me përparim.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim ka mbetur pezull për shumë kohë. Përparimi në këtë çështje do të forconte kohezionin rajonal dhe aftësinë tonë të përbashkët për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë”, shkroi Hoxha në X, sipas raportimit të KosovaPress.
Sipas tij, për të siguruar qëndrueshmëri në Ballkanin Perëndimor, është e nevojshme që të gjitha shtetet dhe shoqëritë e rajonit të përfshihen në mekanizmat e bashkëpunimit dhe të sigurisë.
“Stabiliteti i qëndrueshëm mund të arrihet vetëm kur të gjitha vendet dhe shoqëritë e rajonit të integrohen plotësisht në kornizat e bashkëpunimit, sigurisë dhe përgjegjësisë së përbashkët”, theksoi ai.
Hoxha theksoi se kërcënimet kibernetike, siguria energjetike dhe manipulimi i informacionit nga jashtë kërkojnë bashkëpunim më të gjerë në nivel rajoni. Ai shtoi se një Kartë e Adriatikut më e hapur dhe gjithëpërfshirëse do të kontribuonte për sigurinë e Ballkanit Perëndimor.
