Agjencia amerikane e lajmeve Associated Press ka raportuar për nisjen e punimeve të gërmimit në varrezat masive të zbuluara së fundmi në Kalludër të Vogël, në komunën e Zubin Potokut.
Të lidhura
None found
Kërkimet synojnë gjetjen e gjurmëve për personat që rezultojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë. Në artikullin e saj, AP përcjell edhe dhimbjen e familjarëve, të cilët prej vitesh presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.
Gjatë luftës në Kosovë humbën jetën rreth 13 mijë persona. “Tensionet mes dy vendeve vazhdojnë të mbeten të pranishme. Në maj të vitit 2023, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje, e cila përfshinte zotime nga të dyja palët për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, shkruan AP.
Pak ditë para nisjes së gërmimeve të fundit, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar dy serbë, të dyshuar për krime lufte të lidhura me varrezat masive. Të dyshuarit vijojnë të qëndrojnë në paraburgim.
Një tribunal i Kombeve të Bashkuara në Hagë të Holandës ka gjykuar dhe dënuar për krime lufte në Kosovë disa prej zyrtarëve të lartë politikë dhe ushtarakë serbë.
Erblin Ademi kishte me vete një fotografi të babait të tij, ku shihet duke e mbajtur atë në krahë gjatë fëmijërisë.
“Çdo njeri ka të drejtë të ketë një varr ku mund të vizitohet, ku mund të nderohet dhe ku mund të kujtohet”, deklaroi Ademi.
“Shpresojmë shumë që ky të jetë fundi. Pavarësisht se sa do të zgjasë i gjithë procesi, ne do të presim derisa të mund t’i nderojmë ata ashtu siç e meritojnë”, u shpreh ai, raporton AP.
