Ambasadorja e SHBA-së në NATO: Sigurisht që do ta mbështesim Kosovën në synimet për anëtarësim

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se aleanca veri-atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Smith po ashtu ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet evropiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre. Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe”, ka thënë Smith, duke përkujtuar se vendimi për anëtarësimin e ndonjë vendi në këtë program, sikurse në vetë NATO-n, merret me konsensus të 30 vendeve anëtare.

“Nuk ka votim me shumicë të kualifikuar. Këtu të gjitha vendimet merren mes nesh, 30 anëtarëve. Ky është termi që ne përdorim, ku të 30 shtetet duhet të pajtohen për këtë. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt Partneritetit për Paqe”.

Qeveria e Kosovës ka thënë se veçse ka formuar një grup punues për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe.

Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë./express

Shtuar 26.05.2022 11:54