Pas qëndrimit kundërshtues të gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj vendimit për të mbështetur Bekim Sejdiun si president të Kosovës, Aleanca deklaron se mund të sigurojë shtatë vota për këtë proces. Megjithatë, subjekti kërkon që të pranohen gjashtë pikat e tij strategjike dhe që bisedimet me kryetarin e VV-së, Albin Kurti, të zhvillohen publikisht. Kurti nuk pranoi të shqyrtojë kushtet e Aleancës, një qëndrim që njohësit e zhvillimeve politike e kanë vlerësuar si të padobishëm.
Të lidhura
None found
Marrëveshja paraprake mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut parashihte që Bekim Sejdiu të ishte kandidat për presidentin e ardhshëm të Republikës. Por kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së e ka vështirësuar llogaritjen e votave në Kuvend.
Për të siguruar mbështetjen e nevojshme, Kurti mund t’i kërkojë shtatë votat e Aleancës, por kjo do të kushtëzohej me miratimin e gjashtë pikave strategjike të saj. Deri tani, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka treguar gatishmëri për t’i pranuar ato.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, e ka komentuar këtë qëndrim të Kurtit, duke thënë se refuzimi i ofertës, e bërë në fillim të shtatorit pas dy muajsh pritjeje, tregon se VV-ja nuk po i kërkon shtatë votat e Aleancës. Sipas tij, kjo mund të çojë në ndëshkimin e qytetarëve, në zgjedhje të reja dhe në mungesë të kuorumit, ndërsa pranimi i gjashtë pikave do ta mbante Aleancën pjesë të Kuvendit.
Ramadani ka theksuar se Aleanca nuk e ka kundërshtuar asnjëherë takimin me kreun e VV-së, por ka kërkuar që ai të jetë i hapur dhe para kamerave.
“Ne nuk jemi organizatë lobuese, por parti politike me qëndrime politike dhe publike. Aleanca nuk e ka refuzuar takimin; përkundrazi, e ka kërkuar atë publikisht dhe para kamerave. Zoti Gjini nuk ka asgjë për të fshehur nga populli, ndërsa dikush tjetër ka dashur që takimi të mbahet i fshehtë”, ka deklaruar Burim Ramadani, deputet i Aleancës.
Deputeti i Aleancës ka shtuar se sonte përfundon edhe afati, sipas interpretimit politik të VV-së, për konstituimin e Kuvendit, ndërsa thirrjen për 9 shtator e ka cilësuar si provokim.
Analisti politik Fitim Mulolli e ka konsideruar për keqardhje refuzimin e gjashtë pikave të Aleancës nga Albin Kurti. Ai ka thënë se një qasje që do të linte hapësirë për negociata ose diskutime do të ishte më e matur dhe më konsensuale.
Sipas Mulollit, pas refuzimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, votat e Aleancës janë bërë edhe më të rëndësishme për ta shmangur vendin nga zgjedhjet e reja, ndaj përgjigjja ndaj kërkesave të saj duhej të ishte më konstruktive.
Disa ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri kanë vendosur të mos e zbatojnë vendimin e Kryesisë së partisë për mbështetjen e Bekim Sejdiut për president.
