Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Himarë, Pervin Gjikuria, e përshkroi në emisionin “Review” me Greta Topjanën situatën e krijuar nga zjarri i një dite më parë si një ngjarje apokaliptike.
Gjikuria tha se në Himarë nuk ishte parë një zjarr i tillë prej dekadash. Sipas tij, banorë të moshuar të zonës kanë deklaruar se prej 40-50 vitesh nuk kishin dëshmuar flakë me përmasa të ngjashme, ndërsa nata ka qenë veçanërisht e vështirë për të gjithë.
Të lidhura
None found
Bilanci i deritanishëm nuk përfshin persona të lënduar. Ndërkohë, Bashkia Himarë ka ngritur që në orët e para të mëngjesit grupet e punës që po verifikojnë dëmet në territorin e prekur.
Nga kontrollet e para janë konfirmuar tre banesa të shkatërruara nga zjarri, si edhe tre ambiente të tjera, të përdorura si magazina, hapësira ndihmëse ose godina të pabanuara.
Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në bujqësi. Deri tani janë evidentuar rreth 40 koshere bletësh të djegura, ndërsa numri i rrënjëve të ullirit të dëmtuara mendohet të jetë në mijëra, megjithëse ende nuk ka një shifër përfundimtare.
Gjikuria shtoi se pronarët e dëmtuar pritet të vijojnë të raportojnë humbjet e tyre pranë grupeve përkatëse të ngritura nga bashkia. Përveç bujqësisë, flakët kanë prekur edhe rrjetin e ujësjellësit dhe atë elektrik.
Për sa i takon furnizimit me ujë, mbi 95% e problematikës është rikuperuar nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellësit të Vlorës. Puna u ndërpre për shkak të errësirës, ndërsa pjesa e mbetur e defekteve pritet të përfundojë gjatë ditës së nesërme.
Situata me energjinë elektrike është thuajse tërësisht e stabilizuar, pasi vetëm dy familje kanë mbetur ende pa mundësi lidhjeje. Edhe në këtë rast, vështirësitë në terren janë shkaktuar nga errësira.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Himarë, zjarri nisi në zonën e quajtur “1 Maj”. Era e fortë bëri që flakët të përhapen me shpejtësi dhe, brenda vetëm 20 minutash, situata të dilte jashtë kontrollit.
Për shuarjen e zjarrit u angazhuan forca të shumta nga Himara dhe bashki të tjera. Në terren mbërritën 21 makina zjarrfikëse dhe mbi shtatë autobote, ndërsa numri i trupave ndihmëse kaloi 300. Prej tyre, 170 ishin forca zjarrfikëse.
Gjatë natës, në monitorimin e situatës u përdor edhe droni “Bayraktar”. Me zbardhjen e ditës nisi ndërhyrja nga ajri, e cila, sipas Gjikurisë, ndihmoi ndjeshëm në përballimin e zjarrit.
Momenti më kritik gjatë natës lidhej me frikën se flakët mund të përfshinin edhe Pilurin e Lartë. Megjithatë, vigjilenca e forcave zjarrfikëse bëri të mundur mbajtjen nën kontroll të situatës.
Gjikuria tha se bashkia ishte përgatitur edhe për një skenar evakuimi. Qendra e mikpritjes për personat e evakuuar ka qenë aktive, por nuk u përdor, pasi 30 personat e larguar nga zona u strehuan te të afërmit e tyre.
Aktualisht nuk raportohet asnjë vatër që të përbëjë rrezik të drejtpërdrejtë për zonat e banuara, pronat apo banorët. Vatrat e mbetura ndodhen në zona të largëta dhe të izoluara, të rrethuara nga sipërfaqe tashmë të djegura, ndaj nuk konsiderohen shqetësuese.
