Protesta e banorëve të Poliçanit kundër shkrirjes së bashkisë vijoi edhe këtë herë me një vendim të rëndësishëm politik. Në shesh, 15 anëtarët e Këshillit Bashkiak njoftuan dorëheqjen e tyre në mënyrë unanime.
Sipas deklarimeve të bëra, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe lista pasardhëse e këshilltarëve. Tubimi u zhvillua në ditën e nisjes së programit “Besa”, ndërsa banorët shprehën zhgënjimin për mungesën e deputetëve në Poliçan.
Të lidhura
None found
Qytetarët thanë se kishin pritur që përfaqësuesit politikë të ishin të pranishëm për të dëgjuar shqetësimet e komunitetit, por sipas tyre, në takim nuk shkoi asnjë deputet.
Banorët kundërshtojnë planin për riorganizimin e njësive vendore, duke e cilësuar atë një proces të nxituar, pasojat e të cilit, sipas tyre, do të ndihen për një kohë të gjatë.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Mimoza Kula, deklaroi se reforma rrezikon vendet e punës dhe mund të sjellë dobësim të shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
“Jemi kundër një reforme që mund të sjellë dhe humbjen e vendeve të punës për shumë profesionistë dhe punonjës në administrata, shërbime e fusha të tjera, sepse pas çdo vendi pune është një familje, pas çdo shërbimi është një qytetar dhe pas çdo familjeje që largohet është një tjetër hap drejt zbrasjes së qytetit dhe territorit”, u shpreh Kula.
Ajo sqaroi se qëndrimi i banorëve nuk ka të bëjë thjesht me ruajtjen e godinës së bashkisë, por me mbijetesën e institucionit dhe garantimin e shërbimeve për komunitetin.
“Ne nuk mbrojmë godinën, por mbrojmë institucionin. Këshilli Bashkiak, pasi zhvilloi takimet në njësitë administrative Vërtop, Tërpan dhe Poliçan, mori vendimin unanim të kundërshtojë shkrirjen e Bashkisë Poliçan”, tha Kula.
Kryetarja e Këshillit Bashkiak paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë nëse reforma nuk ndalet.
“Ne nuk pranojmë që qyteti ynë të shkrihet. Nëse do shkrini Bashkinë e Poliçanit, ne do të vijojmë protestat”, deklaroi ajo.
Kula u ndal edhe te mungesa e deputetëve gjatë takimeve me banorët e Poliçanit.
“Sot është dita që deputetët do takonin e dëgjonin banorët, por asnjë deputet nuk erdhi në Poliçan, por shkuan vetëm në tre bashki të qarkut”, tha ajo.
Në përfundim, Mimoza Kula ftoi bashkitë e tjera që mund të preken nga reforma t’i bashkohen protestës së Poliçanit, e cila do të zhvendoset përpara Parlamentit.
“Mos e bëni këtë reformë, e cila ka dështuar që në fillim. I bëjmë thirrje të gjitha bashkive të cilat rrezikojnë, të na bashkohen në protestën tonë, që do vijojë përpara Parlamentit. Besa është vota jonë, zoti Kryeministër, ne ua dhamë besën juve, por ju nuk e mbajtët besën ndaj nesh”, përfundoi Kula.
