Mjeku dhe përfaqësuesi i PD-së, Ilir Alimehmeti, deklaroi në studion e “News24” se largimi i papritur i ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, pas vetëm një viti në detyrë mund të lidhet me kundërshtimet e saj ndaj një nisme ligjore të qeverisë.
Sipas tij, ekzekutivi ka përgatitur një draft që synon t’ia kalojë një shoqërie me aksione (SHA) administrimin e tregut farmaceutik, tenderave dhe blerjeve publike në sektorin e shëndetësisë, duke dobësuar kontrollin institucional dhe parlamentar.
Të lidhura
None found
“Kemi të dhëna se Rama synon t’ia dorëzojë një shoqërie të tipit SHA të gjithë tregun farmaceutik, tenderat dhe blerjet publike. Ky model e anashkalon shtetin dhe i ngjan shoqërisë ‘KAYO’ të krijuar për armatimet, por në këtë rast do të zbatohej në shëndetësi. Kontrolli shtetëror do të zhdukej. Shëndetësia, arsimi dhe siguria janë tre shtyllat kryesore të shtetit. Nëse krijohet edhe një SHA për arsimin, atëherë shteti pushon së qeni shtet. Ky projekt është kundër shtetit dhe kundër shëndetësisë”, u shpreh Alimehmeti.
Ai vuri në dukje se vendimi për largimin e Evis Salës erdhi vetëm një vit pas emërimit të saj, pavarësisht deklaratave pas mbledhjes së qeverisë në Pogradec se kabineti nuk do të pësonte ndryshime. Alimehmeti e lidhi këtë zhvillim me refuzimin e saj për të firmosur projektligjin.
“Prej javësh qarkullojnë diskutime se ministrja nuk ka qenë dakord me këtë nismë dhe se ka kundërshtuar përmbajtjen e saj. Ndoshta ajo nuk pranoi ta firmoste. Nëse kjo është arsyeja, meriton vlerësim për faktin që nuk pranoi të cenonte figurën e saj, por duhet të marrë përgjegjësi dhe të flasë publikisht. Për këtë arsye, në poste të tilla zakonisht emërohen njerëz politikë dhe jo figura të panjohura”, tha ai.
Në përfundim, mjeku i PD-së tha se vëmendja tani është përqendruar te ministrja e re e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu. Sipas tij, mbetet për t’u parë nëse ajo do ta çojë përpara këtë projektligj apo do ta ndalë, ndërsa kërkoi të bëhet e qartë se kush do të mbrojë interesin e qytetarëve përballë një strukture që nuk do të jetë nën kontrollin e shtetit.
