Një dosje me 35 të pandehur është vendosur përballë emrave të të rënëve të Prekazit, 28 vjet pas ngjarjeve të marsit 1998. Prokuroria Speciale pretendon se të akuzuarit kanë qenë pjesë e niveleve të larta komanduese të njësive speciale të Policisë së Serbisë, të cilat planifikuan, bashkërenduan dhe udhëhoqën operacionin e zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars në Prekaz.
Të lidhura
None found
Prekazi, i lidhur me një nga tragjeditë më të rënda dhe me një prej simboleve më të fuqishme të historisë së Kosovës, tani është bërë edhe objekt i një procesi gjyqësor.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzën, së bashku me kërkesën që gjykimi ndaj 35 personave të zhvillohet në mungesë. Ata ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, për sulmin e forcave serbe ndaj lagjes Jashari në Prekaz të Poshtëm, më 5, 6 dhe 7 mars 1998. Kryeprokurori Blerim Isufaj e ka përshkruar këtë si aktakuzën e parë të këtij lloji që lidhet me vrasjen e civilëve në familjen dhe lagjen Jashari.
Sipas organit të akuzës, hetimi nuk është mbështetur vetëm te konstatimi se sulmi ka ndodhur. Prokurorët thonë se kanë përcaktuar njësitë e përfshira, vendosjet e tyre në terren, zinxhirin komandues, veprimet e të pandehurve, armët e përdorura dhe dëmet e shkaktuara, duke individualizuar edhe përgjegjësitë.
Emri më i njohur në mesin e të pandehurve është Milorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legija”.
Prokurori i rastit, Valdet Gashi, ka deklaruar se Ulemek ishte në krye të Njësisë për Operacione Speciale të Serbisë. Sipas aktakuzës, atij i ishte ngarkuar sulmi i drejtpërdrejtë ndaj shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.
Pretendimi i Prokurorisë është se ngjarja nuk ishte një aksion i çastit, por një operacion i organizuar ku morën pjesë struktura të larta drejtuese të njësive speciale të Policisë Serbe.
35 personat e përfshirë në dosje janë paraqitur në materialet e publikuara kryesisht me iniciale: J.S., V.D., S.L., G.R., M.U., Z.T., Z.S., S.V., B.C., Z.M., R.S., V.T., B.P., R.M., M.S., S.I., N.S., B.F., Z.B., C.B., Z.R., D.I., S.M., V.J., M.L., R.C., S.P., N.M., V.R., D.Z., O.S., B.D., L.C., I.T. dhe M.B.
Sipas sqarimeve të dhëna nga Prokuroria në konferencë, M.U. është Milorad Ulemek, i njohur si “Legija”. Të gjithë të pandehurit akuzohen se, duke mbajtur poste të larta në strukturat speciale të Policisë Serbe, planifikuan, koordinuan dhe drejtuan ndërhyrjen e armatosur në lagjen Jashari.
Procedura është nisur në mungesë, pasi Prokuroria thotë se janë përdorur dhe shteruar mundësitë për t’i siguruar të pandehurit në proces. Të dhënat që ajo disponon tregojnë se 35 personat janë ende gjallë.
Ndërsa në aktakuzë shumica e të dyshuarve identifikohen me iniciale, emrat e viktimave të Prekazit janë ruajtur në kujtesën e Kosovës për 28 vjet.
Lista përfshin Adem Sh. Jashari, Adile B. Jashari, Afete H. Jashari, Afije A. Jashari, Ajvaz K. Jashari, Ali R. Jashari, Avdullah Z. Jashari, Bahtije M. Jashari, Beqir B. Jashari, Besim H. Jashari, Blerim H. Jashari, Blerim Z. Jashari, Blerina H. Jashari, Bujar Z. Jashari, Elfije S. Jashari, Elheme U. Jashari, Faik T. Jashari, Fatime H. Jashari, Fatime S. Jashari, Fatime Xh. Bazaj, Feride R. Jashari, Fitim A. Jashari, Hajrije Z. Jashari, Hajzer Z. Jashari, Halil B. Jashari, Halit I. Jashari, Hamdi S. Jashari, Hamëz Sh. Jashari, Hamide A. Jashari dhe Hamit H. Jashari.
Po në këtë listë janë Hanife Z. Jashari, Hidajete R. Jashari, Igball R. Jashari, Igballe R. Jashari, Isak F. Halili, Kajtaz M. Jashari, Kushtrim A. Jashari, Lirie H. Jashari, Mihrije F. Jashari, Murtez Z. Jashari, Nazmi Z. Jashari, Osman Sh. Geci, Qazim O. Jashari, Qerim H. Jashari, Ramiz S. Jashari, Sabrije Z. Jashari, Sadik H. Jashari, Salë Sh. Jashari, Selvete H. Jashari dhe Shaban M. Jashari.
Emrat e tjerë janë Shahin Q. Jashari, Sherif B. Jashari, Sinan R. Jashari, Smajl A. Jashari, Smajl Xh. Bazaj, Ukshin Q. Jashari, Valdete R. Jashari, Zahide Sh. Jashari dhe Zarife B. Jashari. Bëhet fjalë për listën me 59 të rënë, të publikuar në kuadër të listës së dëshmorëve të betejës së familjes Jashari.
Mes viktimave kishte burra, gra, të moshuar dhe fëmijë. Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se aktakuza aktuale përfshin 26 civilë të vrarë në të gjithë lagjen Jashari, mes tyre fëmijë, gra dhe të moshuar. Sipas të dhënave të publikuara nga prokurori, viktima më e re ishte pesë vjeç. Gjithashtu, Prokuroria pretendon se disa banorë të lagjes u morën peng dhe u keqtrajtuan.
Shifrat e lidhura me Prekazin kërkojnë dallim të qartë. Çështja penale e tanishme përfshin 26 viktima civile, ndërsa kronikat dhe listat përkujtimore të Epopesë flasin për 59 të rënë gjatë betejës triditëshe. Në raportimin e “Betimit për Drejtësi” për aktakuzën përdoret formulimi për vrasjen e 58 anëtarëve të familjes Jashari.
Aktakuza nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodhur në marsin e vitit 1998 dhe nuk mund t’i rikthejë fëmijët, nënat, baballarët e të moshuarit që humbën jetën. Megjithatë, 28 vjet më vonë, për herë të parë një dosje me 35 persona, për të cilët Prokuroria pretendon përgjegjësi penale, i është paraqitur një gjykate në Kosovë.
Prekazi tashmë ka përballë dy lista: emrat e të rënëve, të kujtuar nga Kosova prej 28 vitesh, dhe inicialet e 35 të pandehurve, për përgjegjësinë e të cilëve duhet të shprehet drejtësia.
Emrat e viktimave tashmë janë pjesë e historisë. Për 35 të akuzuarit, ndërkaq, ekziston aktakuza dhe vendimi për fajësinë ose pafajësinë e secilit do t’i takojë gjykatës.
