Meriton Korenica është bërë zyrtarisht futbollist i FCSB-së, pasi ka përfunduar transferimin nga Cluji te gjiganti rumun.
Të lidhura
None found
Për shërbimet e mesfushorit kosovar, klubi i ri ka paguar 600 mijë euro, njoftim ky i bërë nga presidenti i FCSB-së, Gigi Becali. Sipas marrëveshjes, 30-vjeçari do të përfitojë 30 mijë euro në muaj.
Korenica, i cili aktivizohet kryesisht në rolin e mesfushorit ofensiv, mund të luajë edhe në pozita të tjera. Ai pritet të jetë i gatshëm për FCSB-në në përballjen derbi ndaj Dinamos.
Trajneri Marius Baciu ka bërë të ditur se lojtari ndodhet në gjendje të mirë fizike, ndërsa vendimi për përfshirjen e tij në ndeshje do të merret pas seancës stërvitore.
“Korenica është 100 për qind i gatshëm dhe do të marrim vendim për të. Mendoj se do të jetë në skuadër, por të shohim çfarë do të ndodhë në stërvitje”, ka deklaruar Baciu.
Gjatë këtij edicioni me Clujin, Korenica ka luajtur 10 ndeshje dhe ka realizuar tri gola. Ai ishte transferuar në Rumani në verën e vitit 2024, kur u bashkua me Clujin nga Manisa për 400 mijë euro.
Para se të luante për Manisan, Korenica ka qenë pjesë e Rahovecit, Shkëndijës së Tetovës, Metalurgut, Lirisë, Prishtinës dhe Ballkanit.
Gjatë prezantimit si lojtar i FCSB-së, futbollisti kosovar tha se ndihet i lumtur për këtë hap dhe se synon të japë kontributin maksimal.
“Ndihem mirë, jam i lumtur që jam këtu. Do të mundohem ta jap më të mirën për këtë skuadër.
Të gjithë e njohin FCSB-në. Për mua është kënaqësi të jem këtu. Dua të jap çdo gjë. Mendoj se transferimi këtu do të jetë mirë për karrierën time.
Dua që kjo kaptinë të jetë e mirë. Shpresoj që t’i sigurojmë këtij klubi shumë trofe”, deklaroi ai.
