Në përpjekje për ta zgjeruar Arsimin Dual dhe për ta përshtatur arsimin profesional me nevojat e tregut të punës, Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka miratuar vendimet për zbatimin e kurrikulës duale për profilet Zhvillues i Aplikacioneve Softuerike dhe Teknik i Informatikës së Biznesit. Këto profile do të hapen gjatë këtij viti shkollor.
Të lidhura
None found
Identifikimi dhe standardizimi i dy profileve prioritare është bërë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me mbështetjen e projektit “Shkathtësi për punësim të qëndrueshëm”, i cili zbatohet nga LuxDev.
Vendimi për përzgjedhjen e tyre është bazuar në rezultatet e hulumtimit “Barometri i TIK-ut në Kosovë”, por edhe në interesimin e nxënësve dhe mësimdhënësve të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) që kanë në ofertën e tyre profile të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Hartimi i kurrikulave është realizuar gjatë vitit 2026 në bashkëpunim me IAAP-të, përfaqësues të sektorit privat, shoqatat e fushës së TIK-ut, përfshirë Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), si dhe ekspertë të kësaj fushe. Në kuadër të këtij procesi janë përgatitur edhe materialet didaktike dhe pedagogjike për zbatimin e profileve të reja.
Me qëllim që kurrikulat e reja të zbatohen në mënyrë sa më cilësore dhe efikase, MASH do të zhvillojë trajnime për mësimdhënësit përgjegjës për këto profile gjatë periudhës 1–15 shtator 2026.
