Gjykata e Tiranës ka vendosur lirimin e 14 protestuesve të arrestuar mbrëmjen e 1 shtatorit, pasi ata rrethuan godinën e Kryeministrisë, ku ndodhej kryeministri Edi Rama në zyrën e tij.
Protestuesit akuzoheshin për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Të lidhura
None found
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, ata kërkuan që arrestimi i tyre të cilësohej i paligjshëm dhe të liroheshin pa iu caktuar asnjë masë sigurie. Protestuesit deklaruan se nuk kishin kryer vepër penale.
Ndërsa seanca zhvillohej brenda ambienteve të gjykatës, qytetarë të mbledhur jashtë kërkonin lirimin e protestuesve dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë. Thirrjet e tyre ishin: “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun!”.
Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimuçaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu u ndaluan pasi protestuesit rrethuan godinën e qeverisë, sapo u bë e ditur se kryeministri ndodhej aty.
Pas disa orësh përplasjeje dhe rezistence nga protestuesit, Edi Rama u largua nga zyra nën masa të rrepta sigurie. Protestat qytetare kanë vijuar për më shumë se tre muaj, ndërsa kërkesa kryesore e pjesëmarrësve është dorëheqja e shefit të ekzekutivit.
