Luka Modric, mesfushori i Milanit dhe i kombëtares së Kroacisë, ka rikthyer në kujtesë suksesin e vitit 2018, kur u shpall fitues i Topit të Artë.
Të lidhura
None found
Me atë triumf, kroati i dha fund dominimit 10-vjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, duke u bërë futbollisti i parë jashtë këtij dyshja që e fitonte çmimin gjatë asaj periudhe. Ky fakt vazhdon ta bëjë atë shumë të lumtur.
“Po, është diçka e pabesueshme. Bëhet fjalë për vlerësimin më të madh individual që ekziston dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme. Ishte veçanërisht e jashtëzakonshme ta fitoja në epokën e dy fenomeneve si Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, ndërkohë që çdo vit për këtë çmim garonin edhe futbollistë të tjerë të shkëlqyer, si Neymar, Karim Benzema, i cili e fitoi më vonë, dhe shumë të tjerë”, deklaroi fillimisht Modric.
“Fitorja ishte e pabesueshme. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që jam fitues i Topit të Artë, sidomos kur shoh listën e futbollistëve që e kanë marrë këtë çmim”.
“Për ne është edhe më e vështirë ta fitojmë, pasi përfaqësojmë një vend të vogël, ndryshe nga futbollistët që vijnë nga vende të mëdha si Spanja, Italia, Gjermania apo Franca. Na duhet të punojmë dyfish më shumë dhe kjo ma shton krenarinë për këtë çmim. Megjithatë, gjithmonë kam thënë se skuadra është gjëja më e rëndësishme dhe kjo nuk ndryshon”.
“Ky vlerësim dëshmon se zhvillova një sezon të shkëlqyer me Real Madridin dhe, mbi të gjitha, me kombëtaren e Kroacisë. Jam shumë i lumtur për këtë”, përfundoi ylli kroat.
