Dukagjin Maxhuni është lënë i lirë pas afro tri javësh qëndrimi në paraburgim në Serbi dhe tashmë po kthehet te familja e tij.
Të lidhura
None found
Njoftimin e dha avokati Arianit Koci, i cili tha se, që në momentin e arrestimit, kishte vlerësuar se akuzat për përfshirjen e Maxhunit në krime lufte ishin të pabazuara, përcjell “Bota sot”.
Sipas sqarimit të Kocit, autoritetet serbe e arrestuan Maxhunin më 12 gusht në Batrovc, teksa po udhëtonte nga Serbia drejt Kroacisë. Ai fillimisht u ndalua për verifikim, ndërsa më pas u dërgua në Beograd, ku iu caktua masa prej 30 ditësh paraburgim nën pretendimet për krime lufte.
Avokati theksoi se prej ditës së parë kishte deklaruar se Dukagjin Maxhuni ishte i pafajshëm dhe se pretendimet e ngritura kundër tij nuk qëndronin. Tani, pas lirimit, Maxhuni po rikthehet pranë familjes së vet.
Koci bëri të ditur se do ta vijojë angazhimin profesional edhe për qytetarët e tjerë të Kosovës që, sipas tij, vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi.
Ai deklaroi se, megjithëse mundësitë e tij janë të kufizuara, do të bëjë edhe të pamundurën në planin profesional për lirimin e tyre. Koci shtoi se do të angazhohet kudo dhe kurdo që një qytetar i Kosovës të ketë nevojë për ndihmë, duke e cilësuar këtë si misionin e tij.
