Ditën e sotme, aktivistët dhe qytetarët kanë paralajmëruar sot se do të protestojnë para Gjykatës Penale, për të kërkuar lirimin e protestuesve të arrestuar dy ditë më parë.
Në deklaratat e tyre, tonet janë ashpërsuar teksa u bëjnë thirrje qytetarëve, por edhe studentëve që të bashkohen në shesh.
Të lidhura
None found
Ata paralajmërojnë se, “nuk ndalemi pa ikur kjo klasë e vjetër politike”. Protestuesit do të jenë përpara Kuvendit në çdo seancë deri në dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj, kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar dy ditë më parë, gjatë tensioneve përpara Kryeministrisë. Ajo theksoi se sulmi i policisë tregoi mënyrën se si ka qeverisur Edi Rama gjatë këtyre viteve.
Sipas saj, kryeministri po e përdor policinë e shtetit si “polici pushteti” për të vepruar kundër qytetarëve që protestojnë.
Megjithatë, siç shtoi ajo, intimidimet e tyre nuk do t’i ndalin dhe se do të jenë çdo ditë në shesh derisa Rama të japë dorëheqjen si kryeministër. “14 protestues janë duke u mbajtur padrejtësisht në burg prej dy netësh.
Arrestimi i tyre tregon formën se si ka qeverisur Edi Rama dhe qeveria e tij përgjatë gjithë këtyre mandateve, pavarësisht se e mburr veten si kryeministri më demokratik, kontraversial. E ka përdorur policinë e shtetit si polici të pushtetit, e cila ka arrestuar qytetarët me urdhra politikë, duke shkelur çdo rregull me qëllim për të na zmbrapsur, frikësuar e intimiduar. Nuk e kanë kuptuar ende se intimidimi i tyre nuk na frikëson, por na shton revoltën, qëndresën dhe na bën të jemi këtu përsëri për t’i thënë policisë së pushtetit arrestoni Ramën”, theksoi ajo.
Aktivistja deklaroi se sot do të mblidhen përpara gjykatës penale, ku protestuesit e arrestuar do të dalin për masën e sigurisë.
