Torontoja u përball të mërkurën me stuhi të fuqishme, të cilat shkaktuan përmbytje dhe dëmtime të konsiderueshme në rrugë e infrastrukturën e qytetit më të madh të Kanadasë. Dhjetëra mijëra banorë mbetën pa energji elektrike.
Kryebashkiakja e Torontos, Olivia Chow, deklaroi se uji përfshiu rrugët kryesore, ndërsa pemët dhe shtyllat elektrike u rrëzuan, duke lënë pa energji elektrike dhjetëra mijëra banorë.
Të lidhura
None found
Të dhënat e raportuara nga mediat lokale tregojnë se brenda vetëm pak orësh në Toronto u regjistrua një sasi reshjesh më e madhe se mesatarja e shiut për të gjithë muajin shtator.
Paul Johnson, drejtori i përgjithshëm i shërbimeve të qytetit, e përshkroi situatën si një ngjarje që mund të cilësohej “stuhia e shekullit”. Sipas tij, gjatë mbrëmjes së të mërkurës, në disa lagje të Torontos ranë nga 100 deri në 110 milimetra shi.
Erërat arritën shpejtësinë deri në 84 kilometra në orë dhe dëmtuan disa objekte infrastrukturore, mes tyre edhe një stadium me 50 mijë vende. Vështirësi u shënuan edhe në transportin ajror.
Ofruesi i energjisë elektrike në provincën e Ontarios bëri të ditur se më shumë se 50 mijë familje në zonën e Torontos mbetën pa energji. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vazhdojnë ndërhyrjet për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e tyre në qarkullim.
