Gjithsej 49 automjete të reja komunale do të përdoren për ruajtjen e higjienës në qytetin e Shkupit, si dhe në komunat e Kumanovës, Prilepit, Strumicës, Shtipit, Ohrit, Tetovës, Negotinës, Kërçovës, Dibrës dhe Velesit. Përmes Bankës Botërore janë siguruar 4.2 milionë euro, me të cilat janë blerë 19 kamionë shumëfunksionalë të kategorive të ndryshme, nëntë autocisterna dhe 21 automjete shumëfunksionale për pastrimin e rrugëve.
Të lidhura
None found
Automjetet u prezantuan sot në Shkup, ndërsa në promovim morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, kryetarë komunash dhe përfaqësues të Bankës Botërore.
Mickoski deklaroi se projekti synon përmirësimin e mjedisit dhe rritjen e nivelit të higjienës në komunat që po pajisen me mjete të reja për menaxhimin e mbeturinave. Ai u bëri thirrje qytetarëve për përgjegjësi sociale dhe qytetare, duke theksuar se secili duhet të tregojë të njëjtin kujdes ndaj mjedisit.
Orce Gjorgjievski, kryetar i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dhe kryetar i Bashkisë së Shkupit, bëri të ditur se së shpejti do të prezantohen edhe pesë kamionë të tjerë të siguruar nga Bashkia e Shkupit. Sipas tij, po përfundon gjithashtu afati për parashtrimin e ankesave lidhur me prokurimin e 3.200 kontejnerëve për Shkupin.
