Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se më 1 shtator do të organizojë një protestë paqësore para Qeverisë, për të paraqitur kërkesat e nivelit lokal ndaj institucioneve qendrore.
Të lidhura
None found
Protesta synon të kundërshtojë detyrimet financiare që, sipas komunave, po rëndojnë buxhetet e tyre. Në mesin e çështjeve të ngritura janë kostot e krijuara nga kontratat kolektive, mungesa e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ndërhyrjet në kompetencat e pushtetit lokal.
Nën moton “Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve”, drejtuesit komunalë do të kërkojnë zgjidhje institucionale, zbatim të ligjeve, respektim të kompetencave të kryetarëve dhe komunave të Republikës së Kosovës, si dhe trajtim të barabartë nga niveli qendror.
Agim Aliu, kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës, tha se komunat prej një kohe të gjatë po përballen me detyrime financiare të krijuara nga niveli nacional. Sipas tij, këto shpenzime po rriten vazhdimisht dhe institucionet lokale po kërkojnë trajtim të drejtë e institucional.
Gjatë konferencës me anëtarët e bordit të Asociacionit, Aliu deklaroi se pasojat financiare të kontratave kolektive kanë arritur në 360 milionë euro. Ai tha se përmes procedurave përmbarimore komunave u janë marrë 27 për qind e këtyre mjeteve, ose mbi 100 milionë euro, duke e cilësuar këtë si goditjen më të madhe ndaj buxheteve komunale.
Një tjetër kërkesë lidhet me kompensimin e komunave të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore, të cilat, sipas Asociacionit, nuk kanë marrë mbështetje nga niveli qendror për riparimin e pasojave. Aliu e përmendi edhe mosformimin e institucioneve si problem dhe sfidë shtesë për punën e komunave.
