Kontrollet për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmës kanë vijuar në Shkodër, ku pronari i një lokali në lagjen “Vasil Shanto” është ndëshkuar me 200 mijë lekë.
Gjatë matjeve të kryera mbrëmjen e djeshme, në subjektin e administruar nga shtetasi M. L., 38 vjeç, u konstatua se muzika arrinte nivelin 86.3 dB.
Të lidhura
None found
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër po zhvillojnë kontrolle në subjektet që organizojnë aktivitete me muzikë, në kuadër të masave për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Verifikimi në lagjen “Vasil Shanto” evidentoi se një lokal transmetonte muzikë mbi kufirin e përcaktuar. Për shkeljen e konstatuar dhe në bazë të ligjit “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, pronari M. L., 38 vjeç, banues në Shkodër, u vendos nën masën administrative prej 200 000 lekësh të rinj.
Policia njofton se kontrollet, verifikimet dhe matjet në subjektet përkatëse do të vazhdojnë.
Pronarëve dhe administratorëve të lokaleve që zhvillojnë aktivitete me muzikë u bëhet thirrje të respektojnë kërkesat ligjore për orarin e aktivitetit dhe nivelin e zhurmës së gjeneruar.
Qytetarët ftohen të raportojnë pranë Policisë çdo shqetësim ose shkelje të ligjit, ndërsa autoritetet garantojnë reagim të menjëhershëm dhe trajtim në përputhje me legjislacionin.
