Porsche po zgjedh të mos ndjekë plotësisht drejtimin e industrisë globale të automobilave, e cila po orientohen gjithnjë e më shumë drejt transmisioneve automatike dhe elektrifikimit. Prodhuesi gjerman planifikon ta mbajë kambion manuale në ofertën e tij për aq kohë sa këtë e lejojnë rregulloret dhe kërkesa e klientëve.
Të lidhura
None found
Një prej modeleve që pritet të përfshihet nga kjo qasje është Porsche 911 Carrera S.
Që nga viti 2027, ky model pritet të ofrohet sërish me transmision manual me gjashtë shpejtësi. Vendimi lidhet me interesin e lartë të klientëve për variantet manuale të 911 GT3, çka tregon se vazhdon të ekzistojë një grup i konsiderueshëm entuziastësh që kërkojnë një ndjesi më tradicionale dhe komunikim më të drejtpërdrejtë gjatë drejtimit.
Timo Resch, CEO i Porsche Cars North America, ka deklaruar se kompania dëshiron ta ruajë këtë teknologji edhe përgjatë dekadës së ardhshme, nëse klientët vijojnë ta kërkojnë.
Pengesa kryesore për përdorimin e kambios manuale në të ardhmen mbetet elektrifikimi. Sistemet hibride të instaluara aktualisht në modelet 911 GTS dhe Turbo S nuk mund të kombinohen në mënyrë të përshtatshme me një transmision manual tradicional.
Megjithatë, Porsche nuk e ka mbyllur derën për një zgjidhje të ardhshme teknike. Inxhinierët e kompanisë mund të gjejnë një mënyrë për të bashkuar sistemin hibrid me kambion manuale.
Ndërsa shumë prodhues po heqin gradualisht dorë nga transmisionet manuale, marka gjermane synon të ruajë një element që e konsideron pjesë të identitetit të makinave sportive dhe të përvojës së kërkuar ende nga shumë drejtues.
Për Porsche-n, kjo lloj kambie nuk përfaqëson vetëm një teknologji të së kaluarës, por edhe lidhjen karakteristike mes shoferit dhe automjetit. Për sa kohë që kërkesa do të vazhdojë, 911 pritet të mbetet ndër makinat sportive që ruajnë këtë marrëdhënie klasike me mekanikën./GazetaExpress/
