BDI-ja akuzon se situata në Spitalin Psikiatrik “Bardovci” është përshkallëzuar, pasi kompania “Indigo Inc” DOOEL Shkup, e lidhur me kushëririn e drejtorit Isa Avdullai, ka marrë pesë tenderë nga ky institucion që prej emërimit të tij në krye të spitalit. Deklarata u bë sot nga Arta Bilalli-Zendeli në një konferencë për shtyp.
Të lidhura
None found
Sipas saj, kontrata e parë u firmos më 15 tetor 2024, tre muaj pasi Avdullai u caktua ushtrues detyre drejtor, dhe mban edhe nënshkrimin e tij. Vlera e saj arrinte deri në 600 mijë denarë. Pas kësaj, “Indigo Inc” fitoi edhe katër procedura të tjera, mes tyre tenderin e këtij viti për sisteme IT dhe licenca, me vlerë deri në 2,59 milionë denarë, ose rreth 42 mijë euro.
Bilalli-Zendeli tha se pronari i kompanisë, Besim Avdullai, është kushëri i drejtorit Isa Avdullai, një lidhje familjare që, sipas saj, është pranuar edhe nga vetë drejtori. Ajo shtoi se ndryshimi i funksionit drejtues të kompanisë pak para tenderit të parë nuk e ndryshon raportin familjar mes tyre.
BDI kërkon që Antikorrupsioni, Byroja për Prokurime Publike dhe institucionet përgjegjëse të hetojnë të pesë procedurat, duke përfshirë kriteret e vendosura, ofertat, pjesëmarrësit dhe mënyrën e përzgjedhjes. Partia vlerëson se nuk mjafton justifikimi se procedurat kanë qenë “ligjore” ose se drejtori nuk ka qenë anëtar i komisionit përzgjedhës.
“Kur një kompani me lidhje familjare me drejtuesin e një institucioni publik fiton pesë tenderë nga i njëjti institucion, kontrolli dhe transparenca e plotë nuk janë çështje zgjedhjeje, por detyrim. VLEN-i nuk mund të mjaftohet me pretendimin për ligjshmëri, pasi kjo duhet të mbështetet me dokumente”, deklaroi ajo.
Zëdhënësja e BDI-së theksoi gjithashtu se fondet publike nuk mund të trajtohen si pasuri familjare dhe se “Bardovci” nuk duhet të shndërrohet në biznes familjar të VLEN-it. Ajo përsëriti kërkesën për transparencë, hetim institucional dhe përgjegjësi, duke ngritur pyetjen se si është e mundur që kompania e kushëririt të drejtorit të fitojë pesë tenderë në institucionin që ai drejton.
