Me 157 raste të konfirmuara dhe 13 persona të vdekur deri dje, Greqia renditet e dyta në Europë pas Italisë për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor. Numri i të prekurve vijon të rritet me ritme të shpejta.
Të lidhura
None found
Gjatë shtatë ditëve të fundit, autoritetet kanë raportuar 47 infeksione të reja dhe 4 viktima. Atika, veçanërisht zona lindore e saj, mbetet vatra kryesore e përhapjes këtë verë, ndaj janë shtuar edhe operacionet për spërkatjen kundër mushkonjave.
Numër i lartë rastesh është evidentuar në Markopulos dhe Spata. Ndërkohë, raste të reja janë zbuluar edhe në bashki të tjera të Atikës, si dhe në pjesën veriore të Greqisë.
Të dhënat e Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik tregojnë se 42 pacientë po marrin trajtim në spitale. Nga këta, 23 ndodhen në terapi intensive ose në njësitë e kujdesit të shtuar.
Infektimi i njerëzve ndodh përmes mushkonjave, të cilat e marrin virusin pasi pickojnë shpendë bartës. Sipas epidemiologëve, pjesa më e madhe e personave të infektuar nuk do ta kuptojë se e ka kaluar sëmundjen, ndërsa rreth një në 150 të prekur mund të shfaqë komplikacione të rënda neurologjike.
Temperatura e lartë, dhimbja e fortë e kokës, përgjumja, konvulsionet dhe paraliza janë shenja që kërkojnë kontroll të menjëhershëm mjekësor. Autoritetet u kërkojnë qytetarëve të ndjekin këshillat e mjekëve, ndërsa ekspertët theksojnë se sezoni i virusit nuk ka përfunduar ende.
