VLEN deklaron se përmirësimi i standardit të jetesës është një nga prioritetet kryesore të politikave ekonomike të Qeverisë.
Të lidhura
None found
Sipas kësaj partie, rritja e pagave dhe krijimi i kushteve për një jetë më të mirë përfaqësojnë një qasje të re ekonomike, ndryshe nga periudha e qeverisjes LSDM-BDI, kur të ardhurat u rritën në një nivel dukshëm më të ulët.
Të dhënat tregojnë se paga mesatare neto në korrik të vitit 2026 arriti në 48.499 denarë. Në krahasim me korrikun e vitit 2024, kjo përbën një rritje prej 7.538 denarësh ose 18.4%. VLEN e konsideron këtë rezultat pasqyrim të ecurisë së pagave gjatë mandatit aktual dhe të angazhimit për rritjen e të ardhurave.
Një tjetër krahasim i bërë nga VLEN lidhet me periudhën qershor 2017-qershor 2019, gjatë së cilës, në dy vite të qeverisjes LSDM-BDI, paga mesatare neto u rrit me 2.397 denarë ose 10.51%. Ndërsa në intervalin korrik 2024-korrik 2026, rritja nominale ishte 7.89 pikë përqindjeje më e lartë.
Partia vlerëson se për shumë vite rritja ekonomike nuk është reflektuar sa duhet në të ardhurat e familjeve. Përmes politikave që nxisin punësimin dhe zhvillimin ekonomik, VLEN thotë se synon të krijojë më shumë mundësi dhe siguri financiare për qytetarët.
“Qëllimi i Qeverisë është të rrisë të ardhurat, të hapë vende pune me paga më të mira dhe të krijojë kushte për një të ardhme më të mirë në vend”, thuhet në reagimin e VLEN.






