Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila lidh pjesën jugore me atë veriore të qytetit, prej vitesh konsiderohet një nga simbolet më të ndjeshme të ndarjes ndëretnike në Kosovë. Edhe pse ajo mund të kalohet nga këmbësorët, qarkullimi i automjeteve ka mbetur i pamundur për vite me radhë. Hapja e urës është diskutuar gjithashtu në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Të lidhura
None found
Analisti i çështjeve të sigurisë, Dorajet Imeri, e cilëson paradoksale dhe të palogjikshme kundërshtimin e Listës Serbe ndaj hapjes së urës. Sipas tij, qëndrimi i kësaj partie bie ndesh me normalizimin e marrëdhënieve dhe synimin e rajonit për integrim në Bashkimin Evropian, ku parashihet edhe heqja e barrierave mes shteteve dhe qytetarëve.
Lista Serbe reagoi kundër hapjes së urës pasi nga Brukseli u bë e ditur se janë krijuar kushtet e sigurisë për një veprim të tillë. Në letrën dërguar Zyrës së BE-së në Prishtinë, partia kërkoi që të publikohej analiza e sigurisë mbi të cilën është mbështetur ky vendim. Ajo shprehu dyshime edhe për rolin e Policisë së Kosovës në mbrojtjen e serbëve.
Partia, të cilën Imeri e përshkruan si përfaqësuese të Beogradit dhe narrativave të tij në Kosovë, ka deklaruar se hapja e urës pa pjesëmarrjen dhe miratimin e palës serbe në dialogun e Brukselit vë në pikëpyetje vetë procesin dhe marrëveshjet e arritura atje. Lista Serbe i ka kërkuar gjithashtu Bashkimit Evropian të sqarojë përgjegjësitë në rast të ndonjë incidenti ose përkeqësimi të situatës së sigurisë, ndonëse pas largimit të KFOR-it është bërë e qartë se siguria në këtë pjesë do të jetë përgjegjësi e Policisë së Kosovës.
Duke folur për KosovaPress, analisti politik Dorajet Imeri tha se problemi nuk qëndron te hapja e urës, por te përpjekja për ta mbajtur atë si pengesë mes qytetarëve.
“Ekziston një kundërthënie politike që duhet theksuar. Nëse e ardhmja e rajonit lidhet me integrimin në Bashkimin Evropian, normalizimin e marrëdhënieve dhe eliminimin gradual të barrierave mes popujve e qytetarëve, atëherë nuk mund të justifikohet kërkesa që një urë të mbetet simbol i ndarjes. Nuk mund të flitet për normalizim në Bruksel dhe njëkohësisht të kundërshtohet në terren liria e lëvizjes, një prej parimeve kryesore të idesë evropiane. Në këtë mënyrë, Lista Serbe po kërkon ruajtjen dhe ngritjen e barrierave mes qytetarëve”, deklaroi Imeri për KosovaPress.
Sipas tij, Ura e Ibrit duhet të shihet si infrastrukturë publike në dispozicion të të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike. Çështja, shtoi ai, nuk duhet të trajtohet si përplasje politike apo etnike mbi pronësinë e urës, por si një çështje që lidhet me lëvizjen e lirë, komunikimin dhe integrimin.
“Ura kryesore e Mitrovicës është para së gjithash hapësirë publike dhe infrastrukturë që duhet t’u shërbejë qytetarëve. Ajo nuk është pronë e shqiptarëve, serbëve, ndonjë partie apo qeverie, por u takon qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë. Funksioni i saj duhet të jetë mundësimi i lëvizjes, komunikimit dhe integrimit. Pikërisht këtu shfaqet paradoksi i Listës Serbe: një subjekt që pretendon se mbron komunitetin serb duhet të shpjegojë se në ç’mënyrë mbajtja e urës të mbyllur përmirëson jetën, sigurinë apo të ardhmen e këtij komuniteti. Kjo është krejtësisht paradoksale dhe e palogjikshme, sepse ura duhet të shërbejë për lëvizjen, sigurinë dhe mirëqenien e njerëzve, objektiva që duhet t’i ketë çdo subjekt politik, me sa duket me përjashtim të Listës Serbe”, theksoi Imeri.
