Në territorin e Shqipërisë mbeten aktive shtatë vatra zjarri, ndërsa tri të tjera po monitorohen. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur situatën e përditësuar deri më 17 gusht, në orën 20:00.
Gjatë ditës, në të gjithë vendin u evidentuan 13 vatra. Për përballimin e flakëve u mobilizuan 424 forca operacionale dhe 14 automjete zjarrfikëse.
Të lidhura
None found
Operacionet u mbështetën edhe nga Forcat e Armatosura, të cilat angazhuan 129 efektivë, 2 mjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Në malin e Dajtit, në Tiranë, ndërhyrja vazhdon me ekipet në terren, 50 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore. Zonat e banuara nuk janë të rrezikuara. Situata në Priskë është nën kontroll dhe po monitorohet, ndërsa vatra në Vakumone është izoluar.
Në Gurë-Lurë të Dibrës po operojnë 180 forca bashkiake, 15 forca policore dhe 30 efektivë të FA-së, të ndihmuar nga dy avionë “Air Tractor”. Hapja e korridoreve ka penguar avancimin e flakëve në drejtim të banesave dhe, aktualisht, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qafë Helmës, flakët janë shuar në anën e Bulqizës, por vatra vazhdon të jetë aktive në drejtim të Selishtës. Banesat nuk paraqiten të rrezikuara.
Në Bruç të Matit, puna për shuarjen e zjarrit po zhvillohet në një terren të vështirë. Në operacion marrin pjesë forca vendore dhe vullnetarë, me mbështetjen e një helikopteri të FA-së. Nuk ka njoftime për rrezik ndaj banesave, staneve apo blegtorisë.
Në Lufaj të Mirditës, strukturat operacionale po vijojnë ndërhyrjen. Pranë banesave të lagjes Caraj janë vendosur në gatishmëri dy mjete zjarrfikëse të FA-së dhe nëntë efektivë. Vatra nuk përbën aktualisht kërcënim për banesat.
Në Fushë-Lajë të Pukës janë përfshirë në operacion 9 efektivë të MZSH-së, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për vendbanimet.
Ndërkaq, zjarri i regjistruar në Rrjoll është shuar tërësisht.
Sipas autoriteteve, menaxhimi i situatës po kryhet përmes bashkërendimit të strukturave të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet ajrore dhe tokësore janë përqendruar në zonat ku vatrat mbeten aktive.
Në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka rrezik për banesat, ndërsa disa vatra janë izoluar, janë marrë nën kontroll ose janë shuar plotësisht.
